Nga Antonio Costa (President i Këshillit Europian)
Pasi u zgjodha President i Këshillit Evropian, vendosa të vizitoj çdo shtet anëtar çdo vit, për t’u takuar dypalëshe me secilin udhëheqës evropian. Këto shkëmbime janë, para së gjithash, një mundësi për të dëgjuar: për të qëndruar ngushtësisht i lidhur me shqetësimet, prioritetet dhe pritshmëritë e anëtarëve të Këshillit Evropian dhe të qytetarëve që ata përfaqësojnë. Ato më lejojnë gjithashtu të ndaj këndvështrimin tim mbi sfidat dhe mundësitë që kemi përpara si union. Këto vizita zhvillohen në fillim të sezonit politik, ofrojnë një panoramë unike 360 gradë të gjendjes së unionit tonë dhe ndihmojnë që puna e Këshillit Evropian të mbetet e lidhur fort me realitetet, prioritetet dhe aspiratat në të gjithë Evropën.
Një nga tiparet përcaktuese të integrimit evropian është se përfitimet e tij më konkrete shpesh kalojnë pa u vënë re, pikërisht sepse janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Ne kalojmë kufijtë me lehtësi. Përdorim një monedhë të përbashkët nga Lisbona në Helsinki dhe nga Dublini në Athinë. Përfitojmë nga standarde të përbashkëta që mbrojnë mjedisin, shëndetin dhe cilësinë e jetës sonë. Mbështesim njëri-tjetrin në përballimin e fatkeqësive natyrore – siç kemi bërë gjatë zjarreve shkatërruese në pyje këtë verë –, emergjencave të shëndetit publik dhe sfidave të tjera të përbashkëta. Dhe kur udhëtojmë nëpër Evropë, qëndrojmë të lidhur me familjen dhe miqtë pa menduar më për tarifat e roaming-ut celular. Ajo që është bërë e zakonshme në jetën tonë të përditshme është, në fakt, rezultat i dekadave të një përpjekjeje të përbashkët evropiane.
Kjo përbën një bazë të fortë mbi të cilën mund të vazhdojmë ndërtimin e Evropës. Në realitetin e sotëm gjeopolitik, një Evropë më e fortë, më e qëndrueshme dhe më autonome është më e rëndësishme se kurrë.
Kjo është arsyeja pse po ndërtojmë Evropën e mbrojtjes: për të forcuar aftësinë tonë për të parandaluar kërcënimet, për të mbrojtur qytetarët tanë dhe, në fund, për të rikthyer paqen në kontinentin tonë. Një paqe që është shkatërruar nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja i ka vendosur vetes objektivin që deri në vitin 2030 të rrisë në mënyrë vendimtare gatishmërinë mbrojtëse të Evropës, duke forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes, duke reduktuar varësitë strategjike dhe duke zhvilluar së bashku kapacitetet ushtarake prioritare. Ajo që është thelbësore është që riarmatimi i nevojshëm i Evropës të realizohet në mënyrë të bashkërenduar, duke shmangur përsëritjet dhe shpërdorimet dhe, mbi të gjitha, duke siguruar që kjo përpjekje historike të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen kolektive të Evropës në tërësi.
Ndërtimi i autonomisë strategjike të Evropës kërkon gjithashtu një ekonomi më konkurruese. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian po e bën më të lehtë zhvillimin e biznesit, duke reduktuar burokracinë, duke mobilizuar investime private për të ndihmuar kompanitë të rriten dhe të inovojnë, duke përfunduar tregun e vetëm, duke forcuar zinxhirët e furnizimit dhe duke diversifikuar marrëdhëniet tregtare, ndërkohë që siguron qasje në lëndë të para kritike dhe në burime energjie të përballueshme, të pastra dhe të prodhuara në Evropë. Në të gjitha këto fusha, agjenda “Një Evropë, Një Treg”, e miratuar nga Këshilli Evropian, përcakton objektiva konkrete që duhet të realizohen nga tani deri në fund të vitit 2027. Përtej domosdoshmërisë gjeopolitike, kjo lidhet në fund të fundit me bërjen e jetës më të përballueshme për qytetarët, krijimin e kushteve për më shumë vende pune cilësore dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë sociale të tregut të Evropës.
Mbrojtja dhe konkurrueshmëria, së bashku me zgjerimin e BE-së dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën, do të jenë ndër çështjet kryesore të agjendës gjatë takimeve të mia me udhëheqësit evropianë në kuadër të turit të këtij viti në kryeqytete.
Por, ndër vendimet kryesore që kemi përpara këtë vit, njëri qëndron mbi të gjithë të tjerët: arritja, deri në fund të vitit, e një marrëveshjeje për kuadrin e ardhshëm financiar shumëvjeçar të BE-së – buxhetin tonë afatgjatë për periudhën 2028-2034.
Pse duhet të arrihet kjo marrëveshje përpara fundit të vitit 2026? Sepse më pas do të na duhet rreth një vit për të vendosur kuadrin e nevojshëm ligjor dhe administrativ – në Bruksel dhe në shtetet anëtare – për të siguruar zbatimin pa ndërprerje të buxhetit të ardhshëm të BE-së. Kjo është thjesht një çështje planifikimi të shëndoshë. Përndryshe, rrezikojmë të ndërpresim financimet për fermerët, bizneset, studentët, studiuesit dhe novatorët.
Për dekada, buxheti i BE-së ka mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjithë kontinentin tonë, përmes investimeve në bujqësi, në rajonet tona, në kërkim shkencor dhe në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital. Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë. Në të njëjtën kohë, buxheti duhet gjithashtu të pasqyrojë prioritetet në zhvillim të Evropës, përfshirë mbrojtjen, sigurinë dhe konkurrueshmërinë.
Ashtu si buxhetet kombëtare, edhe buxheti i BE-së duhet të përmbushë prioritetet e tij brenda kufijve të burimeve të kufizuara. Pjesa më e madhe e tij financohet përmes kontributeve kombëtare të shteteve anëtare. Ne duhet t’i mbajmë këto kontribute brenda kufijve të arsyeshëm. Kjo është arsyeja pse një paketë e balancuar dhe ambicioze me burime të reja të përbashkëta do të jetë një pjesë thelbësore e një marrëveshjeje të përgjithshme.
Jam inkurajuar nga fryma konstruktive e diskutimeve mes udhëheqësve për buxhetin shumëvjeçar deri më tani. Kam besim se, në fund, do të gjejmë ekuilibrin e duhur për unionin tonë, qytetarët tanë dhe të ardhmen tonë. Sepse është përgjegjësia jonë e përbashkët ta bëjmë këtë.





