Porti i Durrësit është pika kryesore, ku është përqendruar puna e policisë për festat e fundvitit. Pritja e mbërritjes së mijëra emigrantëve për festat e fundvitit ka bërë që policia kufitare dhe ajo e qarkut të hartojnë një plan masash të veçantë.

Kështu, nga 20 sportele që qëndrojnë të hapura në terminalin e pasagjerëve në ditët normale, numri i tyre do të dyfishohet duke mbajtur në funksionim gjatë gjithë ditëve të fundit të vitit 40 sportele, për të shmangur radhët dhe pritjen e udhëtarëve.

“Një detyrë tjetër e veçantë që policia kufitare ka parashikuar, lidhet me parandalimin e veprimtarisë kriminale në pikën e kalimit kufitar, si kalimi i paligjshëm i kufirit, lëvizja e personave që janë të kërkuar nga drejtësia shqiptare apo nga autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë, vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, kontrabandës, krimeve të tjera ekonomike, por edhe trafiqe të ndryshme si trafiku i drogës, armëve etj”, – thotë Ornela Cako, zëdhënëse e Drejtorisë së Durrësit.

Një pikë tjetër janë akset dhe kryqëzimet kryesore të qarkut të Durrësit. Duke pasur parasysh shtimin e numrit të aksidenteve në të njëjtën periudhë të një viti më parë, policia rrugore ka dyfishuar numrin e patrullimeve për këshillimin e drejtuesve të mjeteve për shmangien e aksidenteve.Poashtu, patrullime të veçanta do të ketë në tregjet e qytetit, stacionet e lëvizjes publike, qendrat tregtare, sheshet dhe pikat e këmbimit valuator.