Arkeologët francezë dhe shqiptarë deklarojnë me keqardhje se urbanizimi i Durrësit ka masakruar pasuritë nëntokësore të tij. Arkeologjia është dëmtuar rëndë në emër të modernizimit. Në prag të përfundimit të misionit të tyre, grupi i arkeologëve franko-shqiptarë ka arritur në përfundimin se topografia e qytetit të Durrësit është shumë më e gjerë nga ajo çfarë mendohej më parë. Sanktuari i zbuluar në kodrën e Dautes i përket perëndeshës Artemis

Urbanizimi pa kriter i qytetit ka rezultuar katastrofik për pasuritë arkeologjike të Durrësit që ende flenë nën tokë. Me këtë deklaratë arkeologu francez, Arthur Miller, kreu i ekipit franko-shqiptar, që prej 10 vitesh studion objektet arkeologjike të gjetura në kodrën e Dautes, tenton të shprehë keqardhjen e tij për këtë masakër që i është bërë nëntokës së Durrësit, pikërisht në emër të modernizimit të qytetit. Ndërtimet shumëkatëshe si dhe mijëra ndërtime pa leje të ngritura gjatë gjithë këtyre viteve tranzicion i kanë bërë thuajse të pamundur gërmimet e reja arkeologjike. Tashmë, një objekt i ri arkeologjik mund ta shohë dritën e diellit vetëm kur zbulohet “aksidentalisht” gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të ndonjë pallati. Por edhe në këto raste ai mund të jetë i shikueshëm vetëm për pak kohë, para se të mbulohet sërish në emër të “modernizimit”. Megjithëse i huaj, profesor Muller-it i vjen keq për këtë indiferencë gati totale të treguar ndaj arkeologjisë gjatë viteve të fundit në qytetin antik.

Kohët e arta, kur babai i arkeologjisë durrsake, Vangjel Toçi, bashkë me grupin e tij do të zbulonin rreth pesë tonë objekte dhe mbetje arkeologjike, zor se përsëriten sepse siç thotë arkeologu i njohur durrsak, Fatos Tartari, në Durrës nuk ka mbetur më asnjë cm tokë ku mund të ngulin kazmën apo të nisin gërmimet arkeologët vendas apo të huaj. Për dhjetë vite me rradhë, ekipi franko-shqiptar ka marrë në studim gjithë materialin arkeologjik të zbuluar në kodrën e Dautes në vitet 1970-71 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Ekipi ka nisur punën që nga dita e hënë e kësaj jave dhe për rreth një muaj do t’i japë dorën e fundit konkluzioneve përfundimtare mbi pesë tonë objekte të përftuara nga gërmimet e atyre viteve. U deshën mbi tridhjetë vjet pritje që lënda e gërmimeve të Vangjel Toçit të merrej për studim.

Misioni dy palësh nisi nga puna në vitin 2003. Ky studim u bë i mundur në kuadrin e një marrëveshjeje mes Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, Shkollës Franceze të Athinës dhe Qendrës së Kërkimeve HALMA-IPEL, nën drejtimin e CNRS dhe Universitetit të Lilës. Qëllimi i këtij studimi dhjetëvjeçar është botimi i gërmimeve të arkeologut Toçi. Studimi i sanktuarit të Artemisës së Dyrrahut drejtohet nga arkeologu francez Arthur Muller dhe ai shqiptar Fatos Tartari. Dy konkluzionet më të rëndësishme të këtij studimi hedhin dritë mbi dy fakte të reja: rëndësinë e kultit të perëndeshës Artemis në Dyrrahun e lashtë dhe topografinë e qytetit, shumë më e ndryshme nga ajo ç’mendohej në fillim. 

Muller: Ju nevojitet personel i specializuar për arkeologjinë

Në një intervistë për gazetën “Dyrrah”, kreu i misionit franko-shqiptar, arkeologu francez Arthur Muller theksoi se kërkesë primare për zhvillimin e turizmit kulturor në Durrës është ruajtja e monumenteve dhe objekteve arkeologjike. Tashmë kur është në përfundim të misionit të tij dhjetëvjeçar Muller shpreh keqardhjen e tij për masakrën që i ka bërë urbanizimi pa kriter i qytetit pasurisë arkeologjike. Duke u ndalur tek muzeu arkeologjik i cili është në proçes rikonstruksioni arkeologu francez shprehet se për të realizuar idenë e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, për të ngritur një muze model për Ballkanin, nuk kanë rëndësi vetëm pasuritë arkeologjike, por edhe njerëzit, stafi që do të merret me restaurimin, dokumentimin dhe ekspozimin e tyre. Pra, me pak fjalë nuk mjafton vetëm dëshira e mirë.

Profesor Muller, prej dhjetë vitesh ju jeni marrë me studimin e rreth pesë tonë objekteve arkeologjike të zbuluara nga arkeologu Vangjel Toçi. Tani kur keni arritur në përfundim të studimit tuaj cilat janë konkluzionet më të rëndësishme në të cilat keni arritur?

Rezultati kryesor i këtyre 10 vjet studimi mbi gjetjet arkeologjike në kodrën e Dautes është fakti se sanktuari i zbuluar atje i përket perëndeshës Artemisë dhe jo Afërditës. Ky zbulim është mjaft i rëndësishëm pasi hedh dritë edhe mbi besimin e popullsisë që dikur jetonte në Durrësin antik. Një tjetër konkluzion i rëndësishëm është ai që hedh dritë mbi topografinë e vjetër të qytetit. Tempulli i Artemisës është përmendur nga historiani romak Apian në veprën e tij “Lufta civile” dhe ne kemi arritur në përfundimin se gjetjet dhe zbulimi i sanktuarit në kodrën e Dautes nga arkeologu i njohur durrsak Vangjel Toçi është ai tempull për të cilin flet historiani i lashtë. Ky është një zbulim me mjaft rëndësi për topografinë e qytetit të lashtë. Tani ne e dimë se Durrësi antik, gjatë periudhës romake, ishte shumë më i madh si qytet nga ajo çfarë mendonim ne më parë.

Studimit po i vjen fundi. A do të angazhoheni sërish në projekte të reja arkeologjike të këtij lloji këtu në Durrës?

Personalisht unë nuk mund të marr pjesë në projekte të tjera që parashikojnë gërmime në këtë zonë, sepse jam i përfshirë në projekte në Greqi. Por shpresoj se ekipi im do të vazhdojë për të vënë në jetë një projekt të ri për topografinë e Durrësit. Unë do t’i ndihmoj ata, por nuk do të mund të jem drejtori i projektit siç isha deri tani. Me Fatosin kemi një projekt tjetër, por ai është pak më i vogël në përmasa nga ky për të cilin po flasim. Piktori Nikolet Vasia ka pikturuar një numër të madh vazosh antike të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Durrës. Unë mendoj se dokumentimi i të gjithë këtij materiali që ka lënë pas Nikolet Vasia ka mjaft rëndësi, pasi është një punë artistike e bërë me përkushtim dhe me shumë saktësi, një punë që na ndihmon mjaft në ditët tona, prandaj duam që ajo të shohë dritën e botimit.

A mendoni se nëntoka e Durrësit fsheh ende shumë pasuri arkeologjike?

Qyteti antik është i groposur nën qytetin modern, kështu që është e vërtetë se nëntoka e Durrësit fsheh ende shumë pasuri arkeologjike. I gjithë ky sit arkeologjik është mjaft i pasur.  

Sipas jush a duhen mbështetur nga shteti projekte që do të ndihmonin për të nxjerrë në dritë këto pasuri të fshehura arkeologjike?

Patjetër, patjetër. Por këtu në Durrës ju keni një problem shumë të madh, një shqetësim të madh edhe për ne arkeologët. Urbanizimi pa kriter i qytetit është një katastrofë e vërtetë për mbetjet arkeologjike, që flenë ende në nëntokën durrsake. Unë shpresoj që qeveria shqiptare të tregojë një kujdes më të madh për ruajtjen e monumenteve antike, sepse ato janë jo vetëm një pasuri e paçmuar për qytetin, por në të njëjtën kohë përbëjnë një vlerë të padiskutueshme për turizmin, një atraksion të vërtetë për turistët e huaj që vizitojnë qytetin tuaj.

Muzeu arkeologjik i është nënshtruar rikonstruksionit. Në një deklaratë të tij drejtori i IMK-së, Apollon Baçe është shprehur se ai do të jetë një muze model për të gjithë rajonin e Ballkanit. E mendoni të realizueshme një gjë të tillë?

Më vjen mirë që muzeu i është nënshtruar rikonstruksionit, pavarësisht se neve na ka hapur probleme, pasi nuk kemi ambjente ku të punojmë. Gjithsesi, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj them se mundësitë ekzistojnë, por nuk duhet të harroni që për të realizuar një gjë të tillë duhen shumë investime, projekte, bashkëpunime. Është fakt që potenciali ekziston kështu që si ide mund të realizohet, por duhet të keni parasysh se për të realizuar një sipërmarrje të tillë nuk janë të nevojshme vetëm paratë, por duhet edhe personeli i specializuar që do të merret me këtë punë. Nëse ju i keni paratë, atëherë edhe njerëzit mund të gjenden.


 

Tartari: Nuk ka mbetur asnjë pëllëmbë tokë për të gërmuar

Një nga arkeologët më të njohur të qytetit të Durrësit, Fatos Tartari, i angazhuar prej dhjetë vitesh pranë ekipit franko-shqiptar, ndjen keqardhje kur konstaton se në Durrës nuk ka mbetur më asnjë pëllëmbë tokë ku mund të gërmohet për të nxjerrë në dritë objektet arkeologjike të nëntokës durrsake. Për “Dyrrah” Tartari zbardh projektin e tij më të fundit që konsiston në dokumentimin dhe katalogimin e të gjithë pikturave të vazove antike të realizuara me mjaft mjeshtëri nga i ndjeri Nikolet Vasia. Publikimi i këtyre punimeve është një obligim personal që ai ka ndaj Vasisë e në të njëjtën kohë si profesionist shprehet se një punë e tillë vlen të publikohet sepse mbart shumë vlera.

Profesor Tartari, a keni menduar të realizoni gërmime të tjera arkeologjike pranë vendit ku është zbuluar sanktuari i Artemisës apo në zona të tjera të qytetit?

Ne e kemi pasur ndërmend dhe donim të realizonim një sondazh në këtë zonë për të zbuluar nëse mund të gjenim dhe dokumentonim objekte të tjera arkeologjike të rëndësishme. Për më tepër tani që metodat e gërmimit kanë ndryshuar nga ato që përdoreshin më parë. Por tani për tani ne e kemi të pamundur të bëjmë gërmime, pasi ajo është një zonë që është deformuar komplet prej ndërtimeve me apo pa leje. Për këtë arsye ne nuk kemi asnjë mundësi, nuk kemi asnjë cm tokë ku mund të hedhim kazmën, e ku mund të gërmojmë.

Pra e shihni të pamundur një gërmim të mëtejshëm në këtë zonë apo në sipërfaqe të tjera të qytetit?

Dua t’ju them se ne kemi marrë miratimin e bashkisë së Durrësit për këtë projekt, por ne duam mbështetje konkrete e jo vetëm fjalë. Për këtë do të ishte e nevojshme që ato katër shtëpi që na kanë zënë territorin, ku kemi planifikuar të gërmojmë, duhet të largohen nga aty. Unë mund t’ju them se sado dëshirë të kenë arkeologët për të nxjerrë në dritë objekte e zbulime të reja arkeologjike, në Durrësin e sotëm, kjo gjë është praktikisht e pamundur.

Profesor Muller e përmendi pak projektin më të ri që ju doni të vini në jetë. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Qeramika e pikturuar e muzeut arkeologjik të Durrësit fillon që me qeramikën arkaike, protokorintike,  korintike, etj. Pra është e rëndësishme të theksohet se krahas atij që punonte qeramikën, në këtë proçes futet dhe piktori. Qeramika e pikturuar arrin kulmin me dy stilet: stilin me figura të zeza dhe stilin me figura të kuqe. Janë më shumë se 1000 vazo të pikturuara në muzeun arkeologjik të Durrësit. Duhet të kini parasysh se shumë nga pikturat me të cilat janë zbukuruar vazot antike kanë dëmtuar, janë fshirë dhe për risjelljen e tyre edhe njëherë në formën e mëparshme ka menduar piktori Nikolet Vasia. Në kohën kur muzeu drejtohej nga arkeologu Vangjel Toçi, Nikoleti ka hedhur në letër në mënyrë të detajuar dhe mjaft mjeshtërore figurat e pikturuara në vazot antike. Të gjitha pikturat e këtyre vazove, janë të hapura, janë të pikturuara e të dokumentuara me skrupolozitet dhe mjeshtëri të jashtëzakonshme nga Vasia. Këto punë të realizuara nga Nikoleti nuk e kanë parë ende dritën e botimit. Pasi e kam njohur edhe profesor Muller-in me gjithë këtë punë na ka lindur ideja që ta botojmë, sepse është vërtet fatkeqësi që ajo të qëndrojë e fshehur. Mendojmë që punimet e Vasisë t’i përfshijmë në një katalog të veçantë, pasi pikturat e tij i ka ndihmuar për shumë vjet arkeologët.