DURRËS, 2 mars 2013 – Luftë klasash për arsye seksuale, kështu kopjimi i verbër i përvojës sovjetike kundër kulakëve komprometonte regjimin e diktatorit Enver Hoxha 5 vjet pas instalimit. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” boton fragmente të një dokumenti nga arkivi i ish-komiteti të PPSh të rrethit të Durrësit dhe që i takon datës 21 janar 1952. Bëhet fjalë për një ngjarje sa absurde aq kureshtare që ndodhte në fundvit 1951-fillimvit 1952 në fshatin Luz të Kavajës, atë kohë pjesë e rrethit të Durrësit. Sipas një letre që personalisht sekretari i përgjithshëm i KQ PPSH, Enver Hoxha u dërgonte komitetit të partisë të rrethit Durrës dhe gjithë komiteteve të partisë në rrethe, drejtorisë politike të ushtrisë dhe ministrisë së brendshme, një kandidat për anëtar partie kishte ndikuar që “katundari H. B. të cilësohet kulak për arsye se nuk i ka dhënë çupën e tij 14-vjeçare për grua këtij bukuroshi 45-vjeçar”. Bashkëmoshatari i liderit të Shqipërisë kishte arritur të bëhej “lider” katundi, duke u fshehur pas sloganeve komuniste. Ishte një periudhë delikate kur po punohej për t’u mbushur mendjen fshatarëve të hynin në kooperativa bujqësore dhe nga ana tjetër regjimi haste rezistencë në ish-pronarët e tokave të ndara pas reformës agrare. Nga Bashkimi Sovjetik po zbatohej një përvojë për shkatërrimin e rezistencës antikomuniste: lufta kundër “kulakëve”, pra, fshatarëve në gjendje të mirë ekonomike por që kundërshtonin kolektivizimin. Shpallja “kulak” ishte një damkë që “pushkatonte” politikisht çdo njeri dhe që i mbylleshin rrugët kudo. Në këtë atmosferë të gjallë të luftës së klasave ndodhnin absurditete që vinin në pozitë të vështirë dhe ideatorët e kësaj lufte.
Dokumenti
21 janar 1952
Letër dërguar komitetit të Partisë të rrethit Durrës dhe gjithë Komiteteve të Partisë në rrethe, Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Degës Politike të MP të Brendshme
Në lidhje me luftën e klasave në fshat, konstatojmë se ju nuk i vini rëndësinë e duhur këtij problemi ashtu si ju ka udhëzuar Komiteti Qendror. Konstatojmë se në këtë drejtim, ju bëni gabime qoftë nga e djathta, qoftë nga e majta dhe këtë problem kaq të rëndësishëm nuk e keni studiuar dhe vazhdoni të mos e studioni me seriozitetin e duhur. Nga kjo rrjedhin shumë padrejtësi dhe vija e Partisë në përcaktimin e kulakut dhe në kufizimin e tij ekonomik nuk zbatohet si duhet.
GABIMET
Ju e dini se komiteti i Partisë i rrethit është instanca e fundit që vendos për përcaktimin e kulakëve në bazë të të dhënave dhe të propozimeve të organizatave bazë të Partisë të fshatit. Një e drejtë e tillë sjell me vete edhe përgjegjësi të mëdha mbi ju dhe kjo lë të kuptohet që jeni përgjegjës për zbatimin e drejtë të vijës së Partisë. Që vija e drejtë e Partisë të zbatohet dhe të kontrollohet nëse zbatohet drejt, nuk mjafton që komiteti i Partisë i rrethit të aprovojë në mënyrë burokratike dhe pa i studiuar thellë propozimet që i vijnë nga poshtë. Faktet tregojnë se komiteti i rrethit tuaj, në përgjithësi kështu vepron, nuk bën gjë tjetër veç aprovon pa studim dhe pa diskutim propozimet që i vijnë nga poshtë. Këtë gjë e faktojnë gabimet që po vërtetojmë në caktimin dhe kufizimin e kulakut ku ka oportunizëm të theksuar, dobësim të luftës së klasave, që do të thotë se shumë kulakë të vërtetë nuk janë zbuluar dhe nuk luftohen, por vazhdohet të konsiderohen si katundarë të mesëm dhe nga ana tjetër, katundarë të mesëm janë cilësuar kulakë, janë dënuar si të tillë dhe ndaj tyre zbatohet politika që ka caktuar Partia vetëm për kulakët.
LUTJET E KËRKESAT
Por, veç kësaj, nuk merrni të paktën mundimin që të rishqyrtoni lutjet e kërkesat që vijnë nga katundarët e cilësuar si kulakë për t'i verifikuar të thënat e tyre dhe kjo t’ju shërbejë sado pak për verifikimin e vendimeve që ju keni marrë në lidhje me përcaktimin e kulakëve. Lutjet e njerëzve për ju kanë pak rëndësi, pse shkoni nga parimi i gabuar që çdo gjë, që keni vendosur, është e pagabueshme dhe përjashtoni bërjen e gabimeve, megjithëse në organizatat e Partisë në fshatrat e rrethit tuaj, nga pakujdesia juaj, nga mungesa e një pune organizative dhe edukative të shëndoshë në bazë të direktivave të Partisë, ekzistojnë shumë dobësi. Këto dobësi duhet që t’ju bëjnë më realistë për të ndihmuar dhe për të kontrolluar organizatat bazë në fshat dhe veçanërisht për sa i përket problemit të luftës së klasave. Është një gabim shumë i rëndë të lejoni dobësimin e ashpërsimit të luftës së klasave në fshat, por është një gabim tjetër, po aq i madh, të cilësoni si kulakë, katundarë të mesëm, të cilët duhet të jenë aleatët e fshatarëve të varfër në luftën kundër kulakëve…
PADREJTËSISHT
Një fakt tjetër, në mes të shumë të tjerave që ekzistojnë, është çështja e fshatit Luz të Kavajës, nga ku ju keni mjaft letra katundarësh, qofshin këto me përmbajtje të drejtë ose jo, me të cilat qahen për padrejtësitë që u janë bërë, në lidhje me cilësimin e tyre si kulakë. Një nga këta katundarë, i quajtur H. B., duke mos marrë asnjë përgjigje nga komiteti i Partisë i ka drejtuar një lutje drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, ku i shpjegon se është cilësuar padrejtësisht si kulak nga organizata bazë e Partisë e fshatit Luz dhe nga Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit. Duhet të dini se Komiteti Qendror i Partisë i studion me kujdes lutjet dhe propozimet e popullit, pse kështu na mëson Partia. Vetëm kështu Partia do të lidhet me masat dhe do të mësojë nga masat. Lutja e këtij katundari u verifikua nëpërmjet instruktorit të Drejtorisë së bujqësisë të Komitetit Qendror në organizatën bazë të fshatit Luz të Kavajës dhe pretendimet e tij ishin plotësisht të drejta. Ai është cilësuar padrejtësisht si kulak, pse në fakt ai është një katundar i mesëm. Nga mbledhja e kësaj organizate bazë u vërtetua gjithashtu se atje po bëheshin gjëra të turpshme dhe padrejtësi flagrante, të cilat i kishin shpëtuar vigjilencës së organizatës bazë të fshatit dhe Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit. Jo vetëm kaq, por shokë të Komitetit të Partisë e kishin inkurajuar fajtorin.
BUKUROSHI
Në organizatën bazë të fshatit Luz ekziston një farë Q. Ç. kandidat partie, që në realitet ia ka hipur në qafë organizatës bazë dhe bën ligjin atje. Në pozitat e këtij kanë qenë edhe sekretari i organizatës bazë dhe disa shokë të tjerë. Ky person, që ka qenë trim beu, me të kaluar të dyshimtë, imoral, i dënuar nga gjyqet, arrogant dhe që ka rrahur katundarë, dallaveraxhi dhe çfarë të duash, ka influencuar që katundari H. B. të cilësohet kulak për arsye se nuk i ka dhënë çupën e tij 14-vjeçare për grua këtij bukuroshi 45-vjeçar. Sigurisht ju keni një përgjegjësi të rëndë për një situatë të tillë, pse merret me mend që padrejtësia që i është bërë katundarit H. B. nuk duhet të jetë e vetmja. Duhet të ketë edhe katundarë të tjerë në këtë fshat në pozitat e H. B. dhe kulakë të tjerë në fshat, të cilët jo vetëm nuk luftohen, por edhe mbrohen. Natyrisht, pas këtij verifikimi, organizata bazë e Partisë e fshatit Luz e inkurajuar në rrugën e drejtë nga ndërhyrja e organeve të Komitetit Qendror të Partisë, u bë më luftarake për mbrojtjen e vijës së Partisë. Ajo zbuloi kalbësirën që ekzistonte në gjirin e saj, spastroi nga radhët e saj Q. Ç. dhe mori masa ndëshkimore ndaj sekretarit të organizatës bazë dhe disa shokëve të tjerë.
Nga një çështje e tillë juve ju dalin detyra të rëndësishme:
RISHIKIM
1.- Të rishikoni sa më parë dhe drejt zbatimin e politikës së Partisë në lidhje me luftën e klasave në fshat. Të vini në vend padrejtësitë ndaj katundarëve të mesëm dhe të ashpërsoni luftën kundër kulakëve të vërtetë. Udhëhiquni vazhdimisht në këtë çështje të rëndësishme nga mësimet e Leninit dhe të Stalinit, që na i kanë bërë të qarta këto probleme si dhe nga direktivat e Komitetit Qendror, të cilat bazohen plotësisht në mësimet e marksizëm-leninizmit, të zbatuara në rrethanat e katundit tonë. Ky rishikim t’ju shërbejë jo vetëm juve, por të gjitha organizatave të Partisë të rrethit tuaj, duke pasur kurdoherë parasysh që ky problem të ngrihet drejt, d.m.th. të mos shikohen vetëm padrejtësitë dhe mbasandaj, duke u ruajtur nga sektarizmi, të kalohet në oportunizëm duke lënë kulakët të qetë ose të mbrohen nën pretekstin se “mos gabojmë”. Rishikimi i vijës së Partisë në këtë drejtim nuk duhet të bëhet vetëm duke rishqyrtuar lutjet e katundarëve të cilësuar si kulakë, të cilat flenë në raftet tuaja, por duhet të kuptohet më gjerë, duke u lidhur mirë udhëheqja me bazën, duke e ndihmuar bazën për këtë problem dhe duke e kontrolluar.
KUNDËR FORMALIZMIT
2. – Mjaft gjëra ju shpëtojnë juve në këtë drejtim, të cilat sjellin konsekuenca të rënda, prandaj duhet të luftoni burokracinë që ekziston te ju dhe në aparatet e komitetit të Partisë, të forconi punën kolegjiale në udhëheqje dhe t’u vini rëndësi të jashtëzakonshme mbledhjeve të organizatave bazë të Partisë, të aktiveve, të komitetit të Partisë të rrethit dhe të byrosë. Problemet që i shtrohen Partisë dhe forumeve, të jenë të studiuara dhe të përgatitura mirë. Të luftohet ashpër formalizmi në punë dhe mungesa e përgjegjësisë. Të zhvillohet kritika dhe autokritika bolshevike kudo dhe sidomos nga poshtë-lart. T’i vini rëndësi të madhe zërit të popullit dhe bazës së Partisë. Të mos neglizhoni as gjënë më të vogël, pse kjo ju bën ju që të harroni edhe gjërat e mëdha… Pra, nuk duhet në asnjë mënyrë të veprohet ashtu si konstatohet te ju dhe në shumë rrethe të tjera qoftë nga Partia, qoftë nga organet e pushtetit. Të luftohen ashpër neglizhencat e theksuara në shqyrtimin e kërkesave të popullit, në pritjen e popullit, në zgjidhjen e problemeve të tij, në zgjidhjen e problemeve shtetërore dhe të Partisë, qofshin ato shumë të mëdha, qofshin edhe fare të vogla.
SQARIMI
3. – Për sa i përket çështjes së katundarit H. B., ai duhet të thërritet nga ju, t’i thuhet se u shqyrtua çështja e tij dhe se rezultoi që kishte të drejtë. T’i thuhet se komiteti i Partisë i rrethit dhe organizata bazë e fshatit të tij, kanë gabuar. T’i hiqet menjëherë cilësimi i tij si kulak dhe t’i tregohen masat që janë marrë ndaj Q. Ç. Në të njëjtën mënyrë duhet të veproni edhe për rastet e tjera.
4. – Rishikimi i çështjes së luftës së klasave në fshat, i gabimeve që do të vërtetohen pas këtij rishikimi, duhet të bëjë thelbin e një mbledhjeje të plenumit të komitetit të Partisë të rrethit, ku të analizohet mirë kjo çështje dhe të mësohet Partia nga gabimet që janë vërtetuar për të zhdukur oportunizmin ndaj kulakëve dhe sektarizmin ndaj elementit katundar të mesëm.
Me autorizim të Byrosë Politike të KQ të PPSH
Sekretari i Përgjithshëm
Enver Hoxha
*Shënim: Titulli dhe mestitujt e dokumentit janë të “Dyrrah”-ut





