Ka zgjatur vetëm 6 muaj aventura e Armando Sadikut në Amerikën Latine. Sulmuesi elbasanas u transferua në janar te klubi i Bolivarit në kampionatin bolivian të futbollit, por nuk arriti të lërë gjurmë.

Lajmin për ndërprerjen e bashkëpunimit e dha vetë klubi me qendër në La Paz, që njoftoi se palët kanë prishur kontratën me marrëveshje dhe se Sadiku tani është i lirë të zgjedhë vetë të ardhmen e tij.

Armando Sadiku u transferua me bujë te Bolivari dhe luajti 15 ndeshje, por arriti të shënojë vetëm dy gola, duke zhgënjyer jo pak me performancën e tij, aq sa së fundi edhe tifozët e klubit kërkuan largimin e sulmuesit.

E ardhmja e sulmuesit 30-vjeçar mbetet e gjitha për t’u zbuluar, megjithatë burime për Supersport konfirmojnë se mund të jetë në Spanjë, konkretisht në Segunda Division, ku ka arritur të bëjë mirë me Malagën dy sezone më parë.

Transferimi te Bolivari i kishte kushtuar Sadikut edhe humbjen e Kombëtares, pasi trajneri Reja nuk e ka ftuar në grumbullimet e fundit, megjithatë një rikthim në Europë, mund të përkthehej në ftesë për t’u bërë sërish pjesë e grupit kuqezi, për sulmuesin që numëron 37 ndeshje me Shqipërinë dhe 12 gola të shënuar.