Avokati Genc Gjokutaj ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin për masën e sigurisë të vendosur ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.  Gjokutaj tha se nuk ka prova për ta mbajtur Metën në burg.

“Kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën arrest në burg për zotin Meta. Kemi paraqitur të gjitha argumentet që nga ndalimi kriminal, pastaj për secilin episod, si lobimin në SHBA, për të cilin Meta ka dhënë shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është i sqaruar procesi për lobi, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë që e ka bërë atë, pastaj edhe për CEZ-DIA, çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin. Duke mos pasur dyshim të arsyeshëm dhe as prova mbi këto 3 episode, i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës arrest me burg”, tha avokati. 

Më tej u shpreh se Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet. Ai njoftoi se do ta vazhdojnë betejën deri në Strasburg, njëjtë si në rastin e kreut të PD-së, Sali Berishës. 

“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është e njëjta rrugë që ndoqëm dhe me Berishën, do t’i drejtohemi Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme. Pasi të lexoj vendimin do mundohem ta kuptoj dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj”, tha Gjokutaj.