Autori i dyshuar i rrëmbimit të dy personave, në muajin maj në Sarandë, është vënë në pranga.

29-vjeçari Albi Mecini u arrestua në flagrancë, teksa po përgatiste mjetet për kryerjen e një ngjarjeje kriminale.

Policia njofton se Mecini u kap me 2 çanta, brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.

Gjatë kontrollit të zonës, në një tjetër makinë, u gjetën 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.

Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali i kishin siguruar këto mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”