Kavajë, 23 korrik 2014  – Arrestohet nga policia një person i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Andi Peqini, mbrëmjen e djeshme në Kavajë. Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Elidon Avdyli, i cili dyshohet se ka qëlluar me automatik ndaj të riut Peqini, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

Sipas policisë, Elidon Avdyli rezulton person me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Momentalisht nuk dihen ende shkaqet e vrasjes, ndërsa ekspertët e policisë pritet të zbardhin krimin. 

EKZEKUTIMI I 27-VJEÇARIT 

27-vjeçari nga Kavaja Andi Peqini (ne foton poshte) u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, një muaj pas kthimit nga Italia. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 të mbrëmjes së djeshme, pranë një pike karburanti në hyrje të Kavajës, në prani të dhjetëra dëshmitarëve. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti në pak minuta policia, ndërsa u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të zbardhur atentatin. Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda dhe persona të paidentifikuar që lëviznin me një makinë “BMW X5” me targa italiane qëlluan me breshëri në drejtim të 27-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. 

Mësohet se Andi Peqini, i cili mbeti viktimë si pasojë e breshërisë së plumbave që u derdhën mbi makinën e tij, është person i skeduar nga policia për vepra të ndryshme kriminale. Gjatë viteve të fundit viktima jetonte mes Italisë dhe Shqipërisë, ku dyshohet të jetë përfshirë në grupe kriminale në shtetin italian, kryesisht në trafikun e drogës. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/