Video u shfaq në YouTube për të treguar 'talentin' e djalit

Nuk ishte asnjë i rritur në makinë … vetëm si shofer djali 10 vjeçar dhe vëllai i tij, gjashtë vjeç si pasagjer.

Një sipërmarrës indian është arrestuar sepse i ka lejuar të birit 10 vjeç të ngasë Ferrarin e tij.

Lajmi është publikuar në  "Times of India" e cila tregon se burri quhet Mohammed Nisham dhe është akuzuar "se ka vënë në rrezik jetën e djalit të tij" dhe se "i ka dhënë leje një minoreni pa patentë të ngasë makinën e tij".

Ndërkaq Ferrari është sekuestruar. 

Policia në fakt ndërhyri pasi vuri re një video të publikuar në YouTube ku duket fëmija duke ngarë makinën luksoze disa herë në një rrugë lagjeje, e përkrah tij është vëllai i tij.

Babai i kishte dhënë çelësat e Ferrarit si dhuratë për ditëlindjen e tij të dhjetë dhe kishte filmuar me krenari skenën rreth dy javë më parë.

Videoja në pak kohë u bë shumë popullore aq sa është parë nga mbi një milion njerëz. 

Nisham, është pronari i disa fabrikave të duhanit dhe firmave të ndërtimit në Indi.

Pas arrestimit të tij, e shoqja mbrojti me krenari aftësinë e të birit duke thënë se ai ka mësuar të ngasë makinën kur ishte 5 vjeç dhe se "nget edhe një Lamborgini dhe një Bentley" që bëjnë pjesë në koleksionin e familjes. "është shumë i aftë dhe i kujdesshëm"- i tha ajo policisë.