GJIROKASTER– Policia e Gjirokastrës ka arrestuar gazetarin e Agjensisë Telegrafike Shqiptare Begtash Zeneli.

Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se 50-vjeçari akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas policisë, gazetari ushtronte presion tek një punonjës policie i pikës së kalimit të kontrollit kufitar në Kakavijë, duke i kërkuar 3000 Euro, për të mos dhënë në media një filmin që ia kishte bërë policit para Krishtlindjeve.

Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar  në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe me mbështetjen e Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të gazetarit gjatë shkëmbimit të lekëve në një lokal afër Zogut  Zi në Tiranë nga punonjësi i policisë tek gazetari.

Gjithashtu policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale shumën e eurove si dhe dy aparate celulari që gazetari kishte përdorur për ti bërë presion punonjësit të Policisë.