TIRANË, 20 dhjetor 2013 – Përditësuar/ Në të njëjtën kohë me arrestimin e bashkëshortit të saj, të akuzuar për korrupsion në tender, në hetim është vënë edhe znj. Mziu. Vjollca Mziu akuzohet si bashkëpunëtore e një rrjeti grabitjesh dhe shitjes së bizhuterive dhe sendeve me vlerë. Bashkëshortja e Mziut bashkëpunonte me një rrjet prej 8 grabitësish të bizhuterive, të cilët sendet e vjedhura në dyqane apo banesa të qytetarëve, i çonin për t’i shitur në dyqanin e saj.

Emri i saj u ka dalë hetuesve pas një serie arrestimesh për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në grabitjen e argjendarive dhe lokaleve të këmbimit valutor, që nisi paraditen e të premtes në Kodër Kamëz. Skuadrat e operacioneve speciale dhe forcat speciale kanë arrestuar 7 persona të implikuar në grabitjet në një operacion që kishte një shtrirje territoriale në Tiranë, Kamëz, Fushë-Krujë dhe Durrës. Grabitësit nga hetimet e policisë rezultojnë se sendet e plaçkitura që janë kryesisht në ar dhe argjendari, i shisnin në dyqanin e argjendarisë së znj. Mziu.

****

Arrestohet kryetari i Bashkisë së Kamzës, për korrupsion në tendera

Sektori kundër krimit ekonomik në Tiranë, ka arrestuar pasditen e sotme kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, për abuzime me tenderat. Burimet bëjnë të ditur se Mziu akuzohet se ka favorizuar kompani të ndryshme, gjatë zhvillimit të tenderave në Bashkinë e Kamzës.

Grupi hetimor i ngritur për këtë qëllim nga Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, kishte pak kohë që po hetonte materialet që implikonin Xhelal Mziun në këto akuza. Xhelal Mziu akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i ri-Laknas. 

Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj kryebashkiakut, masën e sigurisë "arrest me burg", pas kërkesës së Task-Forcë. Xhelal Mziu është zgjedhur si kryebashkiak i Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007 dhe në vitin 2011, ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike. Aktualisht po kryente mandatin e tij të dytë në këtë detyrë.

Çështja e Mziut po hetohet nga prokurorja Antoneta Sevdari. Policia bën me dije se Xhelal Mziu u arrestua në një lokal pranë Presidencës. Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se në pranga është vënë edhe drejtori juridik i Bashkisë, Atli Hoti.