Policia e Shtetit ka finalizuar arrestimin në Itali të një 42-vjeçari shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të dënuar me 15 vite burg për trafikim të qenieve njerëzore.
Operacioni i koduar “The Wanted” u realizua në bashkëpunim mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, duke çuar në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit S.S, alias A.I, 42 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë në vitin 2017, e cila e ka dënuar me 15 vite burgim për veprën penale “trafikimi i qenieve njerëzore”. Nga ky dënim, atij i mbeten për të vuajtur edhe 13 vite, 10 muaj dhe 19 ditë burg.
Autoritetet shqiptare dhe ato italiane po vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.





