Policia e Tiranës dhe efektivët e Komisariatit nr. 5 kanë arrestuar një nga autorët e dyshuar të grabitjes me armë zjarri të ndodhur në Paskuqan.

Në pranga ka rënë Argys Kalsi, i cili është arrestuar në Qafë Thanë, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Mësohet se në momentin që ka tentuar të kalojë kufirin, Kalsi është ndaluar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Burime bëjnë me dije se i riu ishte identifikuar prej disa ditësh nga Policia e Tiranës si një prej autorëve të dyshuar të grabitjes. Megjithatë, arrestimi i tij ishte shtyrë pasi hetuesit po e mbanin nën vëzhgim dhe po kryenin veprime të tjera hetimore, me qëllim identifikimin dhe kapjen edhe të bashkëpunëtorit të dytë.

Ndërkohë, Policia e Tiranës vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit të dytë të dyshuar për grabitjen.