Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur fazën e re të projektit për autostradën Tiranë–Durrës, duke vendosur fokusin te përmirësimi i qasjes dhe sigurisë për banorët që jetojnë përgjatë aksit rrugor.

Pasi përfundoi zgjerimi i rrugës, tashmë kanë nisur procedurat për ndërtimin e gjashtë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat do të mundësojnë kalim më të sigurt dhe më të lehtë për njerëzit që duhet të kalojnë autostradën.

Këto mbikalime do të jenë pjesë e një pakete më të gjerë punimesh, që përfshin jo vetëm ndërtimin e tyre, por edhe instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërimin e zonave përreth, vendosjen e barrierave akustike dhe disa ndërhyrje të tjera plotësuese, që synojnë përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të aksit rrugor.

Sipas planit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mbikalimet do të vendosen në pika të caktuara përgjatë kilometrave të parë të autostradës.

Mbikalimi i parë do të ndërtohet pas objektit të VEKO Group, ndërsa i dyti rreth 50 metra pas Universitetit Polis, duke krijuar qasje të sigurt për banorët e zonës së Yrshekut. Mbikalimi i tretë do të jetë pak metra pas QTU-së, i katërti pranë BRUNES, i pesti rreth 100 metra përpara objektit të FedEx Albania, ndërsa i gjashti do të vendoset pranë Autostar.

Procedura e tenderimit për ndërtimin e këtyre mbikalimeve pritet të mbyllet më 15 qershor, dhe pas shpalljes së fituesit, punimet do të fillojnë menjëherë në terren. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në zonë, theksoi se një nga objektivat kryesore të projektit është sigurimi i aksesit të lehtë dhe të sigurt për banorët që jetojnë përgjatë autostradës.

Sipas tij, mbikalimet do të lehtësojnë lëvizjen e këmbësorëve, do të reduktojnë rrezikun e aksidenteve dhe do të kontribuojnë në organizimin më të mirë të trafikut përgjatë një prej akseve më të rëndësishme të vendit. Ndërtimi i këtyre mbikalimeve pritet të përmirësojë ndjeshëm jetën e përditshme të banorëve dhe të sjellë një standard më të lartë sigurie dhe qasjeje për banorët, që jetojnë pranë autostradës.