Gazetari Artan Hoxha, teksa po fliste për përplasjen me dy biznesmenëve në Vlorë dhe shpronësimin e tokës që shkaktoi konfliktin, përmendi gjithashtu edhe diskutimet e bëra në takimin e famshëm të Arubës.
Gjatë intervistës për emisionin “Kjo Javë” në News 24, ai deklaroi se në takim ishte diskutuar për një projekt që, sipas tij, parashikonte ndërtimin e dy kullave në Tiranë. Sipas gazetarit, projekti nuk u realizua dhe hapësira ku pretendohet se do të ngriheshin kullat përfundoi duke u kthyer në një lulishte.
“A di ti se cila ka qenë tema kryesore e takimit të Arubës? Është një lulishte sot pas stadiumit kombëtar. Do të ndërtoheshin dy kulla. Secila nga ato bënte nga 100 milionë euro dhe kjo ishte tema e Arubës.
Dhe e di çfarë ka ndodhur sot? U bë lulishte si kjo ullishtja. Meqenëse ata aktorët që ishin aty dhe kryeministri nuk po dinte nga të mbante balancën, e bënë lulishte dhe ne kemi një lulishte në mes Tiranës”, deklaroi Hoxha.





