DURRËS, 11 dhjetor 2014 –  Hyjnesha Artemisë e qytetit të lashtë të Durrësit ka zënë vend nga data 5 dhjetor 2014 në serinë e re të pullave postare shqiptare me temë nga arkeologjia. Katër pullat me vlerë nga 50 deri 90 lekë, janë emetuar nga Posta Shqiptare me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhe në to janë paraqitur katër figurina të zbuluara në rrethinat e Durrësit gjatë viteve 1970-1971.

Prof. Fatos Tartari, arkeolog dhe bashkëdrejtues i misionit 10-vjeçar shqiptaro-francez, që studioi mbi 5 tonë materiale të zbuluara në Kodrën e Dautes, tha se nga repertori tipologjik i gjetur në qytetin antik janë përzgjedhur për pullat postare 4 terrakota dhe figurina në mermer dhe në bronz, që i kushtohen asaj.

Dy nga figurat e punuara në baltë të pjekur i përkasin shekullit të IV para erës sonë, e treta është një kokë mermeri me lartësi 15 cm e së njëjtës periudhë, ndërsa e fundit një statujë në bronz me lartësi 12 cm, në të cilën hyjnesha paraqitet në këmbë, – i tha arkeologu i njohur durrsak kolegut Gëzim Kabashi.

Për 10 vjet radhazi, që nga viti 2002, një mision i përbashkët shqiptaro-francez punoi për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi, në zonën kodrinore të Dautes dhe Kokomanëve në veriperëndim të qytetit. Gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 tonë objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Ekspedita studimore u kujdes për identifikimin dhe klasifikimin e këtij materiali të bollshëm.

Info

Arkeologjia shqiptare – Artemisa e Dyrrachionit

Emisioni përbëhet nga 1 seri me 4 pamje

Vlerat e serisë: 50 lekë, 60 lekë, 70 lekë dhe 90 lekë

Përmasat e pullës: 34 x 44 mm

Kompozimi i tabakut: 2 seri në tabak

Zarfi i ditës së parë: 635 lekë

Data e emetimit: 5.12.2014

Tirazhi filatelik: 4800 seri

Tirazhi shërbim postar: 100.000 pulla (50-lekëshe)

Zarfi i ditës së parë: 200 copë

Autor grafik: Petraq Papa

Shtypur në Shqipëri nga “Adel CO”

/red. th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/