Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku qytetarët shqiptarë do të votojnë për qeverinë e re që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Teksa partitë politike janë në ditët e fundit të fushatës, vëmendje ka marrë edhe një këndvështrim ndryshe: ai astrologjik.

Astrologia Chrysanthi Kalogeri, e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, bëri një parashikim mbi zgjedhjet në bazë të hartës astrologjike dhe ndikimit të yjeve. Sipas saj, shenja më e favorizuar në këto zgjedhje është Gaforrja, e cila përkon me shenjën e kryeministrit aktual, Edi Rama.

“Favorizohet veçanërisht Gaforrja. Harta e Shqipërisë ruan për momentin sistemin ekzistues. Vendi ndodhet përpara zhvillimeve të reja pozitive, me ndryshime që do të nisin nga fundi i dimrit dhe pranvera e vitit 2026. Do të jenë ndryshime dinamike, me transparencë dhe me shpirt pozitiv,” u shpreh Kalogeri.

Astrologia parashikoi gjithashtu se në vitet 2027-2028 pritet një ndryshim i rëndësishëm në drejtimin e vendit. Sipas saj, në pushtet do të vijë një kryeministër i ri, rreth moshës 40-45 vjeç, me energji të reja dhe përfaqësues i njërës prej shenjave të zjarrit – Dash, Luan ose Shigjetar – që sipas saj i përshtaten më së miri natyrës astrologjike të Shqipërisë.

Ajo shtoi se sistemi aktual do të mbetet i pandryshuar në vitet në vijim, ndërsa vendi do të përballet me zhvillime të mëdha ekonomike e politike.

Në një parashikim të ngjashëm, astrologia Meri Shehu në emisionin “Rudina” u shpreh se mes dy figurave kryesore politike, Edi Rama (Gaforre) dhe Sali Berisha (Peshore), yjet favorizojnë sërish Gaforren.