Dy ekipe të pavarura astronomësh kanë identifikuar për herë të parë gjurmë oksigjeni në galaktikën më të largët të njohur, një zbulim që sfidon kuptimin e deritanishëm për zhvillimin e Universit.
Galaktika me emrin JADES-GS-z14-0, e zbuluar vitin e kaluar nga teleskopi hapësinor James Webb, ndodhet aq larg sa drita e saj ka udhëtuar për 13.4 miliardë vjet për të mbërritur në Tokë. Kjo do të thotë se ajo shihet ashtu siç ishte vetëm 300 milionë vjet pas Big Bengut, në një periudhë kur Universi ishte vetëm rreth 2% i moshës që ka sot.
Zbulimi i gjurmëve të oksigjenit në këtë galaktikë të hershme tregon se ajo është kimikisht më e zhvilluar nga sa ishte menduar më parë, duke sjellë pikëpyetje të reja për mënyrën se si janë formuar galaktikat në fazat më të hershme të historisë kozmike.
“Është si të gjesh një adoleshent kur prisje të shihje një foshnjë,” tha Sander Swoosh nga Observatori Leiden në Holandë, drejtues i njërës prej skuadrave që kreu studimin, tashmë i pranuar për botim në The Astrophysical Journal.
Në mënyrë të ngjashme, Stefano Caravani nga Scuola Normale Superiore në Piza, Itali – i cili udhëhoqi ekipin e dytë dhe ishte pjesë e zbulimit fillestar të kësaj galaktike – shprehu befasinë për rezultatet e reja:
“U befasova nga rezultatet e papritura. Të shohësh një galaktikë kaq të ndritshme dhe të pasur me oksigjen në një Univers ende të ri, hap pyetje të mëdha për formimin dhe zhvillimin e galaktikave.”
Sipas të dhënave, galaktika JADES-GS-z14-0 përmban rreth dhjetë herë më shumë oksigjen se sa pritej të ekzistonte në atë fazë të hershme të Universit. Deri më sot, besohej se galaktikat e para përbëheshin thuajse vetëm nga hidrogjeni dhe heliumi, ndërsa elementët më të rëndë, si oksigjeni dhe karboni, u krijuan më vonë brenda yjeve dhe u përhapën në hapësirë përmes shpërthimeve yjore (supernova).