Dy të rinj kanë mbetur të plagosur pasi u qëlluan me armë zjarri pasditen e sotme në një lokal në Lushnjë, ndërsa policia ka identifikuar autorin dhe po punon për arrestimin e tij.
Njëri ndër të plagosurit është nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti 21 vjeç. Djali i motrës së Bares, i cilësuar si kreu i Bandës së Lushnjës, ka marrë plagë në këmbë, ndërsa shoku i tij që mbeti gjithashtu i plagosur është Sajmo Xhelili 24 vjeç, të dy banues në lagjen “Çlirimi” në qytetin e Lushnjës.
Xhulio Shkurti bashkë me shokun e tij Sajmo Xhelili, si dhe me dy persona të tjerë ishin ulur në një nga lokalet e qytetit. Në debat e sipër, dy të rinjtë janë konflitkuar me autorin e plagosjes. Ai ka shkuar në shtëpinë e tij dhe është kthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të dy shokëve.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:00.
Pas plagosjes, dy të rinjtë janë dërguar në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore dhe raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.





