Në ambientet e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “A. Moisiu”, u zhvillua një takim letrar me autoren Armenida Qyqja në bashkëpunim me bibliotekën e Universitetit dhe Bibliotekën Publike të Durrësit.
Në takim u prezantua vëllimi më i ri me poezi i autores “Hieroglifet e mallit”. Ky vëllim ndjek nëntë librat e tjerë ku dy vëllime me poezi janë botuar në gjuhën angleze dhe dy vëllime janë me tregime.

Studentët e pritën me interes dhe përzemërsi autoren, duke interpretuar poezitë e saj dhe duke u përfshirë në një bashkëbisedim të hapur mbi letërsinë, procesin krijues dhe raportin e poezisë me lexuesin e sotëm.

U vu re një qasje serioze dhe e kujdesshme e studentëve ndaj librit, jo vetëm në interpretimin e poezive, por edhe në pyetjet dhe reflektimet që sollën gjatë diskutimit. Ky interes dëshmoi një marrëdhënie të vërtetë me tekstin letrar dhe një përpjekje për ta lexuar poezinë jo thjesht si emocion, por edhe si mendim dhe përjetim estetik.

Një moment i veçantë i takimit ishte analiza e spikatur që pedagogia e letërsisë Enida Godine solli mbi vëllimin poetik të autores, duke ndalur te: gjuha poetike, figuracioni dhe dimensioni emocional i krijimtarisë së saj.
Takimi u pasurua edhe nga pyetjet dhe diskutimet e pedagogëve të tjerë prezentë, të cilët sollën këndvështrime të ndryshme mbi poezinë dhe rolin e saj në formimin kulturor të të rinjve.

Gjatë bashkëbisedimit u prek edhe çështja e përkthimit të poezisë dhe humbjeve të pashmangshme që pëson teksti poetik gjatë kalimit nga një gjuhë në tjetrën. Diskutimi mori një interes të veçantë duke qenë se vetë poetja është përfshirë në këtë proces përmes përkthimit të poezive të saj, duke sjellë edhe përvojën personale mbi vështirësinë e ruajtjes së ritmit, figurës poetike dhe ngarkesës emocionale të vargut.

Punonjësja e bibliotekës Teuta Dhima u ndal gjithashtu te publikimi i letërsisë fragmentare në rrjetet sociale nga ana e autores dhe mënyra se si kjo formë komunikimi krijon kontakte të menjëhershme me lexuesin. U diskutua mbi reagimet dhe “feedback”-un që autorët marrin nga publiku në platformat digjitale, si dhe ndikimi që kanë këto hapësira në afrimin e të rinjve me letërsinë.

Në takim u evidentua edhe një tjetër dimension i krijimtarisë së autores, ai i teksteve të këngëve, ku ajo ka sjellë disa bashkëpunime artistike deri tani, duke e shtrirë poezinë edhe në komunikimin muzikor dhe skenik.

Bashkëpunime të tilla mes institucioneve arsimore dhe bibliotekave janë të rëndësishme, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin e lexuesit me librin dhe me poezinë, një gjini që kërkon përqendrim, ndjeshmëri estetike dhe një lexues të formuar.
Këto takime krijojnë hapësira të nevojshme dialogu me letërsinë dhe ndihmojnë në kultivimin e një marrëdhënieje më të thellë me librin.