Pesëmbëdhjetë persona mbetën të plagosur në Korenë e Jugut, katër prej të cilëve në gjendje të rëndë pasi një avion luftarak hodhi aksidentalisht tetë bomba në një lagje civile gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Incidenti me avionin KF-16 të Forcave Ajrore ndodhi rreth orës 10:04 me orën lokale në qytetin Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut.
Paraprakisht, besohet se vetëm një bombë ka shpërthyer. Një ekip për asgjësimin e bombave po punon për çaktivizimin e shtatë bombave të tjera të pashpërthyera, ndërkohë që banorët e zonës janë evakuuar.

Ministria e mbrojtjes deklaroi se trajnimi lidhej me një stërvitje të përbashkët me forcat amerikane.

Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të kombinuara nga 10 deri më 20 mars , të parat që nga kthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo vjen në një kohë kur të dy vendet janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj aleancës në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.