Bekim Balaj është zyrtarizuar ditën e sotme si lojtari i ri i rusëve të Nizhny Novgorod, që debutojnë në Premier Liga dhe Balaj do u shtojë eksperiencën e të luajturit në të tilla nivele, pasi e ka bërë për tre vite me Akhmat Grozny.Pas prezantimit, Balaj ka folur për faqen e klubit, ku ka treguar përse vendosi të kthehet në Rusi dhe tregon se do mbajë numrin 19, të cilin e ka veshur edhe kur ishte pjesë e Vllaznisë dhe e mban ende në shpinë te kombëtarja.

“Në fund të sezonit të shkuar isha me Shqipërinë për ndeshje miqësore me Uellsin dhe Republikën Çeke, ndeshje që u zhvilluan në fund të qershorit. Pastaj pata një pushim të shkurtër. Ndërkohë nisën të vinin oferta nga klube të ndryshme, por në fund zgjodha Nizhny Novgorod.E njoh shumë mirë Premier Ligën ruse. Është kampionat shumë i fortë, interesant dhe pa hezitim vendosa të zhytem sërish në këtë atmosferë të paharrueshme. Pas tre vitesh me Akhmat Grozny, luajta për dy vite në Austri me Sturm Graz.

Por kjo është histori e shkuar tashmë për mua. Tani jam gati të hedh hapa të rinj në karrierën time. Premier Liga është mundësi e shkëlqyer për të treguar veten dhe për t’u përmirësuar. Kur mora vesh se do luaj për Nizhny, harxhova gjithë internetin tim duke parë e kërkuar.

Dhe tani jam i bindur se ky është një qytet i bukur. Klubi i Nizhny Novgorod është debutues në Premier Liga. Tashmë kam nisur stërvitjen, po njihem me djemtë dhe së bashku me ekipin po mundohemi të bëjmë sa më mirë.Do mbaj numrin 19. Ky është numri im i parë që kam veshur, që kur sapo nisa të luaj te Vllaznia. Edhe te kombëtarja unë mbaj këtë numër. Do lumturohesha nëse më sjell fat edhe te Nizhny”, tha Balaj.