Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehet se maxhoranca është në negociata me PD-në zyrtare për përcaktuar objektin e punës për reformën zgjedhore.
“Unë e kam thënë disa herë që kemi një qasje dhe diskutim me grupin parlamentar të PD zyrtare për të gjetur formulimet e sakta sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim si në komisionet e kaluara të reformës që kanë të bëjnë me hartimin e ligjit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE. Ky është një detyrim që Shqipëria ka edhe për procesin e integrimit europian.
Këto negociata me opozitën nuk kanë lidhje me asgjë tjetër. Unë nuk hyj në asnjë përgjigje për pyetje që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes. Sa i përket detyrimit të Kuvendit për të zgjatur vettingun, kjo nuk është çështje e diskutimit politik”, deklaroi Balla.