Në nënshkrimin e marrëveshjes për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën Belina Balluku, gjatë fjalës së saj, është shprehur se Durrësi do të bëhet me 2 porte, atë Turistik të Marinës dhe atë Tregtar të Porto Romanos.

Balluku po ashtu ka thënë se më datë 1 shkurt do të bëhet prezantimi i detajuar inxhinierik për të gjitha kompanitë e interesuara ndërkombëtare për këtë port.

Belinda Balluku: Nuk ka qenë e lehtë që të negocionim. Sot, përvec një projekti të rëndësishëm kemi dhe një grup shumë të përgatitur për projekte të reja. Besoj dhe e vlerësoj se ia kemi dalë më së miri se realizimi i projektit do të thotë se kemi bërë zgjedhjen e duhur.

Në Durrës janë kalatat, baseni dhe do t’i kthehet në përdorim qytetarëve. Durrësi do të kthehet në një zonë rekreative. Qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë do të kenë akses në vijën bregdetare. Ky zhvillim ridimensionon që të kemi mundësinë të bëjmë një reformë të thellë. Durrësi do të bëhet me 2 porte: Porti Turistik i Marinës dhe Porti Tregtar i Porto Romanos.

Më 1 shkurt do të bëjmë prezantimin e detajuar inxhinierik për të gjitha kompanitë e interesuara ndërkombëtare. Duket që ka një interes të lartë për këtë port sepse do të jetë i lidhur me 2 porte. Kemi marrëveshje të nënshkruara. Ky port do të ketë ndikimi në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Flasim për një port që do të shtrihet në 450 hektarë. Është një port që është studiuar për të qenë i aksesueshëm për të akomoduar anije të tonazhit të lartë, thellësia e portit do të jetë mbi 16 metra. Të gjitha këto zhvillime inxhinierike shoqërohen me një zhvillim të rëndësishëm për të cilën kemi nisur diskutimet me partnerët tonë të NATO-s.

Kjo është një ndërmarrje historike që do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë Durrësin, do ta kthejnë Durrësin në një pikë reference.

Dua të falënderoj të gjithë grupin që kanë punuar së bashku. Tani nis një fazë më e vështirë, ajo e implementimit do të jetë akoma më shumë e komplikuar. Jam e sigurt që do të ia dalim për të marrë më të mirën e këtij projekti pëqr të mirën e Shqipërisë.