Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në konferencën e përmuajshme deklaroi se BSH vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një ditore në nivelin 1.75% dhe gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë një ditore në nivelin 3.75%.
Balanca e rreziqeve për të ardhmen paraqitet neutrale për momentin. Megjithatë, pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti.
“Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen”, tha Sejko.
Gjithashtu Guvernatori i BSH theksoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
“Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatmesëm ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin tonë 3% gjatë 2025. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë”, u shpreh Sejko.