Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi këtë të mërkurë të ulë normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.50%, në kuadër të një politike më të lehtësuar monetare.
Vendimi i bë i ditur nga guvernatori Gent Sejko gjatë një konference për shtyp, ku paraqiti raportin e ndërmjetëm të politikës monetare për tremujorin e dytë të vitit 2025.
Sipas Sejkos, zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë këtij viti, megjithëse inflacioni dhe ritmi i rritjes ekonomike kanë qenë në kufijtë e poshtëm të pritshmërive. “Këto zhvillime kanë qenë në linjë me pritjet tona”, tha ai.
Përveç uljes së normës bazë të interesit, Këshilli vendosi të reduktojë edhe:
normën e interesit të kredisë njëditore nga 3.75% në 3.50%;
normën e interesit të depozitës njëditore nga 1.75% në 1.50%.
Guvernatori theksoi se qëllimi i kësaj lëvizjeje është për të nxitur rritjen e kreditimit dhe për të krijuar kushte më të mira për stabilitetin e çmimeve dhe të kursit të këmbimit.
“Vendimmarrja krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv”, deklaroi Sejko.