Banorët e zonës së Baks-Rrjollit në Velipojë kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik, pasi pak ditë më parë trualli u rrethua me tela me gjemba.

Ata pretendojnë se janë pronarët e ligjshëm të tokës dhe akuzojnë një ish-zyrtar të Kadastrës për tjetërsim të dokumenteve të pronësisë, duke i hapur rrugë shitjes së truallit tek investitori.

Kundërshtimet ndaj projektit kanë nisur prej gati një viti, ndërsa që nga janari, kur filluan punimet në terren, janë shënuar përplasje të vazhdueshme mes banorëve, punonjësve të kompanisë dhe rojeve private. Banorët bëjnë me dije se çështja po hetohet nga Prokuroria e Shkodrës, ndërsa protestat e tyre kanë vijuar edhe në Tiranë gjatë javëve të fundit.