Banorët e lagjes nr.11  në Durrës kanë kundërshtuar mundësinë e shpërthimit me tritol të pallatit 6-katësh në bulevardin “Dyrrah”.

Ky objekt, i njohur si pallati i VIP-ave është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe parashikohet të shembet të premten e 29 majit.

Të shqetësuar për pasojat që mund të shkaktojë një shpërthim i tillë në banesat dhe bizneset në qendër të qytetit, banorët thonë se ky proces duhet të kryhet por pa i dëmtuar ato.

“Jemi kundra eksplozivit, jo kundra prishjes. Bëhet fjalë për 200 biznese. Kam mbi 50 mijë euro mall në dyqan. Ta prishin me metoda që nuk na dëmtojnë ne.”, thotë Ardian Çerma, pronar i një biznes në bulevardin “Dyrrah”.

“Biznesin e kam mbrapa pallatit. Ta shpërthejnë me dinamit si thonë, do shkatërrojnë çdo gjë.”, shprehet një tjetër.

Banorët theksojnë se shpërthimi me lëndë plasëse do të prishë shtëpitë e tyre dhe më pas askush nuk i ndihmon për riparimin e dëmeve, ashtu siç nuk i ndihmuan kur ishin të izoluar.

“Gjithë jeta ime është ajo shtëpi, do protestoj madje do futem brenda pallatit (godinës së dëmtuar) dhe s’do t’i lejoj ta shpërthejnë.”, thotë një banor i zonës.

Më herët Ardian Halili, kreu i IMT-së Durrës, tha për “DurrësLajm” se pallati i VIP-ave do të shembet me fadromë për shkak të shumë objekteve të banimit që ndodhen aty pranë por një ditë më parë, banorëve ju është komunikuar edhe mundësia e shpërthimit me tritol.

Kujtojmë që javën e kaluar Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi me eksploziv të kontrolluar objektin në lagjen 7 pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës.

Shpërthimi i godinës 6-katëshe ishte shumë i fortë dhe u dëgjua në të gjithë Durrësin ndërsa shkaktoi dëme të shumta në banesat përreth.

G.D.