Banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Maqellarë janë ngritur në protestë sërish për të kundërshtuar vazhdimin e punimeve dhe duke bllokuar mjetet e punës së kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi, që shfrytëzon burimet ujore të këtij fshati.

Pas disa orë qëndrimi në rrugë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta Policie, të cilat shoqëruan disa prej banorëve, ndërsa forcërisht larguan të tjerët.

Banorët ankohen se Bashkia nuk ka arritur një marrëveshje me ta, pasi ujin që pretendon bashkia të marrë për Maqellarën e përdorin për vaditje.

Ato nuk lejojnë marrjen e ujit, pasi në 30 vjet bashkia nuk ka bërë asnjë investim.

Postimi në Facebook:

Prej orëve të para të kësaj të hëne, banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Maqellarë, janë ngritur sërish në protestë, duke bllokuar mjetet e punës së kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi, që shfrytëzon burimet ujore të këtij fshati. Pas disa orë qëndrimi në rrugë, forca të shumta Policie, shoqëruan disa prej banorëve, ndërsa forcërisht larguan të tjerët.

Disa javë më parë, Policia dërgoi në në Prokurori, thuajse të gjithë kryefamiljarët e fshatit Kërçisht i Epërm, nën akuzën për kundërshtimin e shërbimeve të Policisë Bashkiake dhe punonjësit e ujësjellësit të Dibrës, me qëllim moslejimin e ndërtimit të ujësjellësit.

Banorët prej muajsh protestojnë, duke pretenduar se burimet ujore nuk plotësojnë nevojat e tyre dhe nuk mund të përdoren për ujësjellës. Pak javë para zgjedhjeve vendore, punimet ishin ndërprerë; prej ditësh, sipas banorëve, projekti po avancon me justifikimin se po rehabilitohet rruga.