Infrastruktura e rënduar e rrugës që lidh qytetin e Durrësit me Shijakun ka nxjerrë sërish në protestë banoret e njësisë Administrative Xhafzotaj dhe Rrashbull.
Protestuesit bllokuan në shenjë revolte rrugën, duke penguar lëvizjen e automjeteve për disa minuta.
Banorët kërkuan të ndërhyhet për rehabilitimin e kësaj rruge, e cila është kthyer në makthin e drejtuesve të automjeteve.
Banorët thonë se ky segment është thuajse i pakalueshëm për shkak të gropave të shumta të hapura në të gjithë gjatësinë e tij.
Nëse nuk do të ketë një reagim të autoriteteve, banorët thonë se protestat e tyre do të vijojnë.
Rruga Shijak-Durrës, e gjatë 8 kilometra, përshkohet në të dyja korsitë e saj nga banesa dhe biznese, duke u konsideruar ndër segmentet me përqëndrimin më të madh të zhvillimit ekonomik.
Por pavarësisht kësaj, ky segment është lënë në mëshirë të fatit, duke u anashkaluar nga autoritetet në investime.
Që prej vitit të kaluar, banorët kanë protestuar disa herë për këtë segment, por pa mundur të gjejnë zgjidhje.