Kudo në botë e Shqipëri është shkruar e do të shkruhen artikuj sportivë për F.C Barcelonën. Ajo është veçantia. Ajo është madhështia. Është e papërsërtishmja. Ajo me virtuozitetin e saj të padiskutueshëm, është bërë një pikë referimi e futbollit botëror, duke shkruar në maksimum kontigjentin e adhuruesve të saj në mbarë botën. Kjo i ka bërë ata të ndihen krenarë. I ka lumturuar e njëkohësisht të deklarojnë botërisht se Barcelona e tyre është e do të jetë violina e parë e futbollit botëror. Çdo sukses e triumf i saj lumturon çdo adhurues. Ai mund të jetë një fëmijë apo një i moshuar, një i ri apo një e re. Është apo nuk është nga Barcelona. Çdo sukses i Barçes është një impuls pozitiv që i jep shpresë çdo adhuruesi që lëngon në shtrat nga një sëmundje e pashpirt dhe nuk e lejon atë ta shijojë jetën në parametrat optimalë që ofron ajo.Çdo sukses i Barçes i jep optimizëm një adhuruesi të vobektë, ta shohë jetën jo vetëm bardhezi. E magjishmja juaj inspirohet bashkë me futbollin e bukur që prezantoni. Ai është një impuls që të bën ta ëndërrosh të ardhmen. E tillë është për gazetarët, për artistët, të cilëve iu ngacmon ndjenjat artistike. I frymëzon ata të japin kontributin e tyre artistik për ekipin e zemrës “Barcelonën”.

Në veçanti njëri prej tyre jam unë, i cili, artin tim ia kam dedikuar futbollit botëror, në veçanti Barcelonës. As në ëndërr nuk do të mund ta imagjinoja se një ditë do të mund të realizoja këto vepra artistike, që janë mjaft të veçanta për mënyrën e punimit, për materialin me të cilin janë punuar. Jam mirënjohës që më frymëzuat, me virtuozitetin tuaj. Jam mirënjohës që më zgjuat dellin tim poetik, i cili prej vitesh flinte në një gjumë letargjik. Më frymëzuat e më dhatë mundësinë të shkruaj artikuj sportivë në portalin informativ dhe të kem sukses në Gjermani, Amerikë e Itali. Mund ta pohoj me kënaqësi se sa herë kam rastin ta shikoj Barcelonën, ajo më frymëzon. Është një mrekulli kur e shikon se si vallëzon me topin në fushën e blertë. Sa bukur ajo e prezanton këtë futboll. Në të ardhmen, çdo adhurues i Barçes mund të pohojë me krenari se ka parë të luajnë së bashku Messi-n, Iniesta-n, Neymar-in e Suarez-in. Këtë kuartet të mrekullueshëm, që disponon vetëm Barcelona.

Nga A.Staka për "DurrësLajm"