Ish kryetari i PD, Lulzim Basha ka ironizuar thirrjet e Sali Berishës për revolucion gjatë fushatës së 14 majit duke thënë se “i doli boja, por duhet plan realist”.

Si në cdo dalje tjetër publike, Basha vijon të bëjë thirrje për vetting të politikanëve dhe riciklim të atyre që i referohet si elita.

“Nëse do të kishim referendumet nuk do të kishim nevojë për t’i diskutuar fare ndryshimet. Duhet një plan realist. Boll më me revolucion, i doli boja”, tha Basha gjatë një takimi me të rinjtë në Berat.

Ish-kreu i PD-së propozon që të hiqet neni në kushtetutë “që deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë”.

Basha përsëriti si propozim të dytë “vettingun e politikanëve” që sipas tij po pengohen nga PS-ja dhe PD-ja e drejtuar nga Berisha. Një propozim tjetër i Bashës ishte kufizimi i mandateve të Kryeministrit.

“Ta mbajnë telefonin e hapur për t’ju përgjigjur problemeve tuaja. Duhet të kërkojë ndihmë për gjithçka që ju keni nevojë për ndihmë. Listat e hapura janë të domosdoshme për të dalë nga ky qerthull. Edhe këto nuk do të japin rezultatet e duhura nëse nuk bëhet vetting i politikanëve.

Deputeti duhet të mbajë përgjegjësi. Ne kemi një nen në kushtetutë që thotë “deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë”. Edhe një deputet mban përgjegjësi. Ka mbetur nga koha e komunizmit, e bënë që t’i hiqnin frikën deputetëve, 33 vite para. Tani me këtë abuzohet. Deputeti duhet të mbajë përgjegjësi, nëse bën një denoncim, nëse nuk është i vërtetë, shkon në prokurori.

Janë bashkuar nga të dy anët e politikës për të ndaluar vettingun e politikanëve. Këta njerëz që marrin përsipër që të drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, duhet të tregojnë nëse e justifikojnë dot pasurinë e tyre apo jo. Politikanët nuk e bëjnë këtë transparencë, por vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrit. Propozimi ka 2 vite në Parlament.

Propozimi i tretë ka të bëjë me diçka tjetër, si mundet ne t’i ofrojmë mundësinë njëri-tjetrit, kur ne rrimë aty. Riciklimi i politikës është i nevojshëm. Kryeministri pa limit është e papranueshme, duhet të marrë fund. Pushteti pa limit favorizon korrupsionin. Me një ligj të duhur për referendume, nuk kemi pse kthejmë sytë gjithmonë nga Parlamenti, pasi mund të kalojmë edhe vetë një ligj. Pas 14 majit unë e prek kudo që ka dëshpërim”, u shpreh Basha.