Tiranë, 1 mars 2014– Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i pranishëm në forumin e Tiranës për lirinë ekonomike, tha se programi ekonomik i “Rilindjes” ishte i gabuar që në koncept. Sipas kreut të selisë blu, megjithëse qeveria Rama rriti ndjeshëm taksat, ajo po arrin të mbledhë më pak të ardhura sipas statistikave zyrtare.
Duke iu referuar protestës së taksive 8+1, lideri i PD-së tha ajo nuk ishte një protestë politike, por një protestë që erdhi për shkak të rrënimit ekonomik të mijëra familjeve që mbijetojnë përmes këtij biznesi.
“Kërcënimi ekonomik është fakt. Greva e furgonave ka tendencë të kthehet në lojëra fajësimi, por janë 20 mijë sipërmarrës të vegjël, mijëra të papunë. Kjo është arsyeja e revoltës që po nxit frymën e protestës. Protestuesit nuk kanë synim politik, por vetjak”, tha Basha.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





