Lulzim Basha ka akuzuar Policinë dhe Prokurorinë për arrestimet e 23 personave dhe kontrollet e kryera mbrëmë në qytetin e Kukësit, pas protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kryetari i opozitës tha se arrestimet e protestuesve janë bërë me urdhër politik të Edi Ramës, dhe janë zbatuar nga policia e Prokuroria.

“Kjo polici dhe Prokuori mbrëmë pas mesnate u hodh me urdhër politik të Edi Ramës e armatosur dhe e blinduar kundër qytetarëve më të varfër.  Policia dhe Prokuroria e Edi Ramës janë hedhur në reprezalje. Arrestimet në mes të natës kanë qëllim ushtrimin e terrorit. Shumica e qytetarëve janë rrëmbyer në mes të natës pa asnjë urdhër ndalimi.

Këshilltarët bashkiakë të Kukësit kanë kallëzuar penalisht Policinë e Kukësit. Ne kërkojmë lirimin e mënjehershëm pa asnjë kusht të protestuesve”, tha Lulzim Basha.

Ndaj qytetarëve të arrestuar, Prokuroria e Kukësit ka ngritur akuzë për shkatërrim prone, shkatërrim të pronës me zjarr dhe kundërshtim i punonjësve të policisë. Kryetari i Partisë Demokratike i ka konsideruar vepra të lehta penale, duke shtuar se ata duhet të hetohen në gjendje të lirë.

Basha u ka bërë apel gjithashtu qytetarëve të Kukësit që të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë të rezistojnë për të drejtën e tyre.