"Edi Rama dhe Erion Veliaj së bashku, kanë ndryshuar planin urbanistik të qytetit, në mënyrë që eksponentët e krimit të organizuar të pastrojnë paratë e drogës. Është manipuluar plani urbanistik i qytetit të Tiranës, për t'i hapur rrugë një skeme kriminale e cila mbi gërmadhat apo rrënojat e shtëpive që donin të prishnin këtu do ndërtonin pallate shumëkatëshe me paratë e krimit të organizuar".
Kështu ka deklaruar sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj.
Basha tha nga protesta e banorëve të "Astirit", se po mbledhin të dhëna zyrtare për këtë aferë kriminale, e cila për nga vlera financiare tejkalon 40 milionë eurot e shqiptarëve që po vidhen nga buxheti i shetit.
"Brenda dy ditëve të ardhshme, ju dhe qytetarët do të kenë në dispozicion dokumentet zyrtare që faktojnë këtë që ju konfirmoj sot, pjesën e dytë të kësaj afere, akoma më të madhe nga përmasat financiare, po kaq të rëndë nga përmasat kriminale".
"Dua ta bëj të qartë sot se prej ditës së parë ne kemi mbështetur dhe mbështesim fuqimisht protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre të drejta, 8 pikat e tyre. Sikundër dua të përsëris sot ftesën ndaj prindërve të studentëve, ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndaj demokratëve, ndaj socialistëve, ndaj të gjithë anëtarëve të partive politike, por jo të organizatave kriminale si ajo e Rilindjes, t’ju bashkohen bijëve dhe bijave të tyre. Kjo është një protestë e drejtë", tha lideri demokrat.





