Kryetari i PD Lulzim Basha ka njoftuar një takim me strukturat e degës lokale të Durrësit, pasditen e së shtunës, më datë 22 janar.

Takimi do të zhvillohet në orën 17.00, në Qendrën Kulturore dhe vjen në një kohë, kur Durrësi së bashku me 5 bashki të tjera do të zhvillojë zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetarin e bashkisë, më datë 6 mars.

Nga ana tjetër, vetë PD ka nisur riorganizimin e brendshëm për zgjedhjen e drejtuesve lokalë dhe qendrorë të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor.

Një ditë më parë në qytetin bregdetar ishte nënkryetarja e PD, Grida Duma, e cila zhvilloi një takim me gratë demokrate.

Nga Durrësi, Duma deklaroi se PD ka objektiv marrjen e bashkisë së qytetit bregdetar, që prej 21 vitesh drejtohet nga kryebashkiakë të PS.

Ardhja e Bashës në Durrës mund t’u shërbejë demokratëve që e mbështesin për të mësuar edhe emrin e kandidatit/es me të cilin do të përfaqësohen në garën elektorale.

Situata në PD nuk është ndër më të mirat e mundshme, pasi janari i gjeti demokratët të përçarë mes Berishës dhe Bashës, sidomos pas përshkallëzimit të konfliktit më datë 8 janar, kur u tentua marrja e selisë.

Mbështetësit e Berishës në Durrës janë të shumtë, gjë që u dëshmua edhe në referendumin e mbajtur më 18 dhjetor për shkarkimin e Lulzim Bashës me parimin “një anëtar, një votë”, ku 2021 anëtarë votuan pro shkarkimit të kryetarit të PD.

“DurrësLajm” mëson se mbështetësit e liderit historik të PD po diskutojnë për një pritje “të veçantë” ndaj atij që ata e konsiderojnë një deputet i thjeshtë dhe jo kreu i partisë.

A do të ketë një pritje me vezë siç ndodhi disa ditë më parë në Tiranë apo “surpriza” rezervuar Bashës do të jetë një tjetër këtë pritet ta mësojmë së shpejti.

Hera e fundit që Basha ishte zyrtarisht në Durrës përkoi me 2-vjetorin e tërmetit, ku ai u shfaq nën shoqërinë e kreut të atëhershëm të degës Ferdinand Xhaferaj dhe kreut të komanduar Luan Hoti dhe disa drejtues grupseksionesh.

M.B.