Nga Durrësi ku mori pjesë në një takim me gratë demokrate të LDG-së lokale, nënkryetarja e PD-së Grida Duma komentoi zhvillimin politik të ditës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 6 bashki, më datë 6 mars, që duket se do të jetë data që pritet të dekretohet nga presidenti Ilir Meta.

Sipas Dumës, PD është gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale, por edhe zgjedhje lokale në të gjithë vendin, duke pasur parasysh që në të gjitha bashkitë qeveris PS për shkak të bojkotit të opozitës më 30 qershor 2019.

Durrësi do të jetë më 6 mars mes 6 bashkive, ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme lokale dhe në situatën aktuale ku ndodhet PD duket thuajse e pamundur që ajo të zhvillojë një garë të barabartë dhe të synojë fitoren në qytetin bregdetar. Sipas Dumës, është koha që pas një qeverisjeje lokale prej 21 vitesh nga PS, Durrësi të marrë atë që meriton, për t’i dhënë fund betonizimit të qytetit dhe dominimit të grupeve të strukturuara kriminale.

E pyetur nga “DurrësLajm” lidhur me deklaratën për shtyp të 4 kryetareve të degëve lokale të LDG, të cilat e konsideruan procesin për riorganizimin e Lidhjes së Gruas si antidemokratik dhe antistatuor, Duma tha se “mirëpret të gjitha zonjat, kushdo që të jenë kryetare të një strukture apo anëtare të LDG-së që t’i bashkohen këtij procesi”.

Duma mohoi të ishte në dijeni të deklaratës së LDG Durrës, njëkohësisht edhe të faktit se ato nuk ishin informuar për të marrë pjesë në takimin e pasdites së sotme.

PD ka nisur në fillim të këtij viti riorganizimin e dy strukturave paralele të saj LDG dhe FRPD, në të cilat do të mbahen në muajin shkurt zgjedhjet për krerët lokalë të këtyre dy organizatave, por edhe drejtuesit në nivel qarku dhe qendror.

M.B.