Në buxhetin e këti viti është parashikuar një fond i veçantë, me vlerë 30 milionë lekë të reja, për rikonstruksionin e godinës së bashkisë Durrës.
Në investimet e këtij viti (faksimilja në fund të shkrimit), pushteti vendor ka vendosur si zë të veçantë në buxhet shumën prej 30 milionë lekësh që do të përdoret për këtë funksion. Njëkohësisht, krahas godinës së bashkisë, rikonstruksion do t’u bëhet edhe godinave të Njësive Administrative, investim ky që kap vlerën 15 milionë lekë.
Rikonstruksioni i godinës së bashkisë u propozua për t’u përfshirë në buxhet në tetor 2019, nga kryebashkiakja e atëhershme Valbona Sako. Shuma që stafi i Sakos i propozoi në atë kohë për miratim Këshillit Bashkiak kapte vlerën 50 milionë lekë të reja. Në ndryshim nga 16 muaj më parë, administrata e tanishme është treguar më dorështrënguar duke i ulur me rreth 20 milionë lekë shpenzimet e rikonstruksionit.
Godina pritet t’i nënshtrohet riparimeve e rregullimeve brenda këtij viti, pasi në buxhet është parashikuar që investimi të mbyllet brenda 2021-it. Një shumë e konsiderueshme prej 5.5 milionë lekë të reja do të akordohet për sallën e Këshillit Bashkiak për sistemin e konferencave.
Në total, rreth 72 milionë lekë të reja do të kushtojnë gjatë këtij viti rikonstruksionet e godinave të institucioneve të pushtetit vendor në bashkinë Durrës.
Rikonstruksioni i fundit që i është bërë bashkisë ka qenë në vitet 2004-2005, gjatë kohës kur ajo drejtohej nga kryebashkiaku Lefter Koka.
Kërkesa për rikonstruksionin e bashkisë 16 muaj më parë dhe përplasja e fortë në KB
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të mbajtur në datë 12 tetor 2019, rreth 20 ditë pas tërmentit të 21 shtatorit, ish-kryebashkiakja Valbona Sako u kërkoi këshilltarëve të miratonin shumën prej 50 milionë lekësh për rikonstruksionin e bashkisë.
Por, kyetarja e Komisionit të Buxhetit dhe Financave, Pamela Bardhaj, deklaroi se pas shqyrtimit në mbledhjen e komisionit, anëtarët ishin të mendimit që kalimi i shumës që do të përdorej për rikonstruksionin e bashkisë dhe mobilimin e saj të diskutohej në një mbledhje tjetër të KB-së.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj deklaroi se i dukej i papërshtatshëm përdorimi i kësaj shume të konsiderueshme, në një kohë që qindra familje durrsake ishin dëmtuar nga tërmeti. Sipas Mullarajt, rikonstruksioni i bashkisë mund të shtyhej për vitin 2020, pasi administrata as nuk kishte paraqitur një preventiv sesi do të shpenzohej fondi.
Deklarata e Mullarajt nxiti reagimin e ish-kryebashkiakes Sako, e cila tha se kreu i Këshillit të Qarkut nuk kishte kontribuuar aspak për situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 21 shtatorit dhe nuk kishte dijeni për asnjë nga shifrat e dëmeve të shkaktuara.
Ndërsa Sako ftoi drejtoreshën e Buxhetit dhe Shërbimeve të jepnin shpjegimet e nevojshme para këshilltarëve bashkiakë, kreu i Këshillit Ani Dyrmishi i kujtoi ish-kryebashkiakes se pika e rendit të ditës ishte shtyrë për një mbledhje tjetër. Pas një shkëmbimi replikash mes tyre, Dyrmishi deklaroi mbledhjen të mbyllur dhe u ngrit, ndërkohë që ish-kryetarja e bashkisë vijonte të fliste.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, dorëheqja e Sakos si dhe pasojat e rënda që la pas lëkundja sizmike e shtynë edhe me një vit rikonstruksionin e bashkisë Durrës.
M.B.





