TIRANE- Task-forca e Bashkisë së Tiranës, krahas monitorimit të çmimeve po mbikqyr dhe tregtimin e fishekzjarreve. Përmes një njoftimi për shtyp Bashkia Tiranë, bën të ditur se aksioni i Task-forcës është përqëndruar të dielën në tregun e Qytetit Studenti.
Drejtori i Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Geron Ibrahimi tha se tregtarët tashmë e kanë kuptuar dhe janë të bindur për vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të moslejuar rritjen abuzive të çmimeve. Deri më sot situata është nën kontroll dhe çmimet e disa produkteve janë më të lira se asnjëherë më parë në këtë periudhë.
"Vazhdojmë të vërejmë me kënaqësi që trendi i çmimeve ka një kostante tashmë e cila shkon brenda normalitetit. Ndërkohë që aspekti tjetër i punës është dialogimi me bizneset, për t'i sensibilizuar ata të orientohen drejt blerjes së produkteve të cilat kanë vetëm një karakter dekorativ dhe jo karakter plasës apo shpërthyes, të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe krijojnë situata të pakëndëshme për qytetarët e Tiranës" – u shpreh z. Ibrahimi.
"Nëse ju kujtoni dhe vitin që shkoi, Bashkia e Tiranës i ndërmorri këto aksione dhe ne patëm sekuestruar sasira të mëdha të lëndëve ndezëse dhe plasëse që krijonin probleme për qytetarët. Kështu, ne kemi filluar bisedimet me tregtarët për t'i orientuar drejt dhe në rast se ata nuk do t'i përgjigjen kësaj thirrje, sikurse dhe vitin e kaluar do të marrim masa për të shmangur situatat e pakëndëshme që sjellin këto produkte"-tha ai.