Bashkitë dhe komunat kanë djegur rreth 56 milionë lekë fonde, të destinuara për pagesat e aftësisë së kufizuar. Pas ankesave disamujore të përfituesve të tyre, Ministria e Punës fakton zyrtarisht përgjegjësit. Lista është e gjatë, me rreth 358 njësi të qeverisjes vendore, të cilat nuk kanë realizuar planin, ndërkohë që fondet u ishin lëvruar nga Dega e Thesarit.

Gjatë fundvitit të kaluar, një pjesë e konsiderueshme e personave me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin u përballën me vështirësi ekonomike. Këto vështirësi u krijuan për shkak të vonesave në marrjen e pagesave mujore.

“Duke iu bashkuar këtij shqetësimi, disa herë Ministria e Punës bëri me dije për publikun se fondet e akorduara nga buxheti i shtetit, bazuar në planifikimin vjetor dhe kërkesat e njësive vendore, ishin çelur në kohë pranë degëve të Thesarit”, sqaroi dje Ministria e Punës. Sipas këtij dikasteri, strukturat përgjegjëse kontaktuan me njësitë vendore, të cilat ngrinin pretendime në lidhje me fondet e pamjaftueshme për pagesat e aftësisë së kufizuar, duke ndërhyrë në disa raste edhe me akordimin e fondeve shtesë. Kjo me qëllim zgjidhjen e problemeve të krijuara dhe marrjen në kohë të pagesave nga çdo person me aftësi të kufizuara.

“Me gjithë ndërhyrjen e Ministrisë dhe kërkesën e vazhdueshme të saj ndaj njësive vendore për të zgjidhur situatën, edhe në fillim të vitit 2013, shumë prej personave me aftësi të kufizuara nuk i kishin marrë ende pagesat e muajit të fundit të 2012-s”, sqaron Ministria e Punës.

DJEGIA E FONDEVE

Pas mbylljes së vitit buxhetor 2012, Ministria verifikoi realizimin e këtij zëri nga ana e njësive vendore, bazuar në të dhënat e marra nga sistemi i Thesarit. Nga ky verifikim rezultoi se 358 njësi vendore, përfshi dhe mjaft nga njësitë të cilat ngritën pretendimin e pamjaftueshmërisë së fondeve për pagesat e paaftësisë, nuk e kanë realizuar këtë zë, duke i djegur fondet përkatëse.

“Vlera e këtij mosrealizmi në shkallë vendi shkon në 55 979 799 lekë të rinj. Kjo vlerë e parealizuar nga njësitë e pushtetit vendor përfshin pagesat e munguara të aftësisë së kufizuar përgjatë fundvitit të kaluar, duke hedhur poshtë pretendimin e shumë prej tyre për mosakordim fondi nga buxheti i shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.