Ndalimet ose kufizimet e moshës për përdorimin e rrjeteve sociale nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur të miturit nga efektet e dëmshme të këtyre platformave, deklaruan sot ekspertët e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se nevojiten masa më të rrepta edhe për kompanitë teknologjike dhe algoritmet e tyre.
“Qeveritë duhet t’u kërkojnë kompanive të teknologjisë që ta integrojnë sigurinë në platformat e tyre që në fazën e projektimit, në vend që barra t’u lihet prindërve dhe fëmijëve”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.
“Ndalimet e përgjithshme të rrjeteve sociale nuk janë një zgjidhje e vetme për një problem kaq kompleks”, shtoi ai, teksa zyra e tij publikoi rekomandime të reja për qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë me synim forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet.
Sipas udhëzimeve të reja, qeveritë duhet të vendosin rregullore më të forta, ndërsa kompanitë teknologjike duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për mënyrën se si projektojnë platformat e tyre. Platformat duhet të ndërtohen duke pasur sigurinë si prioritet dhe përgjegjësit për dëmet e shkaktuara duhet të mbajnë përgjegjësi.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut bëri thirrje gjithashtu për masa kundër elementeve të ashtuquajtura me “dizajn varësie”, si lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scroll), nisja automatike e videove (autoplay) dhe njoftimet e vazhdueshme. Po ashtu, ajo kërkoi rregulla të rrepta për reklamat online.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Australia vendosi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Që atëherë, disa qeveri të tjera kanë njoftuar plane për masa të ngjashme, përfshirë Spanjën, Greqinë, Qipron dhe Austrinë.
Türk theksoi se nevojiten gjithashtu masa mbrojtëse për sistemet e verifikimit të moshës.
“Verifikimi i moshës, kur zbatohet gabim, mund të mos arrijë qëllimin e tij dhe njëkohësisht të rrezikojë privatësinë si të fëmijëve ashtu edhe të të rriturve”, shtoi ai.





