Në datën 7 mars 2020, sipas kalendarit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, duhet të luhej dueli mes Goga Basket dhe Teutës për Superligën e meshkujve në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Derbi i Durrësit nuk u zhvillua, pasi ekipi i Teutës u tërhoq me arsyen e moslejimit të presidentit të tyre në dhomat e zhveshjes.Për këtë situatë, Komisioni i Disiplinës pranë FSHB ka vendosur që Teuta Basket të humbasë ndeshjen në tavolinë 20-0, teksa dënohet edhe me 500 mijë lekë gjobë.

Vërejtje edhe për Goga Basket, që e pëson me 50 mijë lekë gjobë. “Kjo masë merret në mungesë të një përcaktimi në Rregulloren e FSHB-së, por në bindjen e brendshme të komisionit”, shkruhet në vendimin e disiplinës.Vendimet e plota:

VENDIMI NR.2, 10.03.2020 i KOMISIONIT TË DISPLINËS
Mbi ndeshjen e javës XIII-të të Superligës Meshkuj, Goga Basket v. Teuta, planifikuar për tu zhvilluar në datën 7 Mars 2020,
VENDOSI:

1. Teuta Basket, për tërheqje të ekipit në mënyrë demonstrative, bazuar në Nenin 12.7 të Rregullores së Aktiviteteve të FSHB-së, sezoni 2019-2020, humbet ndeshjen aforfe (20-0) dhe gjobitet me 500,000 lekë.

2. Ekipi Goga Basket, duke qenë se, ka pasur mundësi të evitojë incidentin, që ka penguar presidentin e ekipit të Teutës të futet në dhomat e zhveshjes, dënohet me vërejtje me gjobë, në vlerën 50,000 lekë. Kjo masë merret në mungesë të një përcaktimi në Rregulloren e FSHB-së, por në bindjen e brendshme të komisionit.