Tjetër fitore për Goga Basket në shtëpi. Durrsaket mposhtën pa shumë vështirësi Studentin në shifrat 95-59. Studenti në total e interpretoi mirë takimin, por diferencat në cilësi ishin ato që bënë diferencën. Fillimi i lojës ishte tërësisht i ekuilibruar, madje për disa çaste ishte Studenti që guxoi. Kjo zgjati deri në gjysmën e parë të periodës sepse më pas bregdetaret pak nga pak vendosën kontroll në të gjitha aspektet. Spikati amerikania MekRoi, e cila falë shpejtësisë dhe zhdërvjelltësisë në lojë, jo vetëm shënoi shumë, por krijoi mundësi të mira edhe për shoqet e saj.

Perioda e dytë foli tërësisht për vendaset, të cilat luajtën bukur dhe me shumë pasime. Kjo bëri që diferenca në favor të Goga Basket vetëm pas 2 periodave të shkonte në 30 pikë. Pas pushimit nuk kishte shumë histori. Studenti e kuptoi që ishte mision i pamundur përmbysja, por gjithsesi vazhdoi të luajë me ritëm dhe agresivitet të lartë. Asgjë nuk ndryshoi deri në fund, përveç avantazhit në pikë të Goga Basket, i cili u fiksua përfundimisht në 95-59.