Flamurtari ka fituar Superkupën e Shqipërisë në basketboll për femra, pas fitores 73-69 ndaj Goga Basket në finalen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Një ndeshje mes dy ekipe rrethesh dhe luajtur në fushë asnjanëse, por që nuk pengoi tifozët të jenë të shumtë dhe shijojnë një përballje me rivalitet dhe emocione. Sfida ishte me rivalitet dhe e hapur deri në fund, ku herë kryesonte Flamurtari e herë Goga Basket. Por gabimet në fushë nga të dyja ekipet ishin të shumta, sidomos në pjesën e parë, ku dhe niveli ishte nën atë mesatar.

Nivel që u rrit ndjeshëm në pjesën e dytë, që u bë më spektakolare. Të dyja skuadrat zbritën në fushë me formacionet më të mira, madje në parket kishte më shumë lojtare të huaja se sa shqiptare, çka tregon për rëndësine që ekipet po tregojnë këtë sezon. Kjo bëri që rivaliteti të ishte i madh, me durrsaket e Goga Basket që udhëheqin 29-23 në përfundim të pjesës së parë. Por në 20 minutat e dyta vjen përmbysja e ekipit vlonjate, që është më i saktë dhe përfiton nga përvoja e disa prej titullareve për të marrë epërsinë dhe fituar ndeshjen. Hera-herës në fushë pati edhe polemika, por loja u bë mjaft interesante, me skuadrat që deri në fund e kërkuan fitoren. Vlonjatet ishin ato që në fund festuan dhe ngritën lart trofeun e radhës të sezonit.