Goga Basket fitoi 80-40 ndaj Skënderbeut në takimin që mbylli javën e 8-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për femra, Grupi A, sukses që ngjit ekipin durrsak sërish në krye të renditjes.

Pas thashethemeve të ditëve të fundit për largim nga kampionati dhe më pas rikonfirmim për të përmbushur misionin e nisur, skuadra e Goga Basket ka qenë normalisht në fushë në Korçë, për të zhvilluar ndeshjen e radhës së kampionatit.

Dhe, ashtu sikurse pritej, ekipi i durrsak ka fituar me lehtësi ndaj atij korçar, në një ndeshje pa histori. Diferencat në fushë mes dy ekipeve janë të mëdha, çka e konfirmon edhe renditja, Goga Basket e para dhe Skënderbeu i fundit, ende pa asnjë fitore këtë sezon, duke rrezikuar rënien në Grupin B. Sfida ishte një formalitet për mikeshat, që morën dy pikë të lehta, që e ngjitin në krye bashkë me Flamurtarin.