Supersfida e javës në basketboll është luajtur në Durrës, ku dy skuadrat kryesuese të Superligës së Meshkujve, Teuta dhe Goga Basket janë përballur me njëra-tjetrën për të përcaktuar kryesuesen e klasifikimit. Pas kësaj fitoreje në shifrat 71-83, Goga Basket vazhdon të mbajë fronin me 23 pikë, 11 fitore dhe 2 humbje.

Që në fillim ndeshja dhuroi emocion dhe rivalitet, ku në periodën e parë herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri, por në fund u mbyll në avantazh të Goga Basket në shifrat 21-24. Po ashtu edhe perioda e dytë është mbyllur në avantazh të tyre në shifrat 37-46, pavarësisht lojës intensive dhe dinamike të luajtur. 

Pas pushimit, avantazhi qetësoi lojën e Gogës, por njëkohësisht rriti tensionin e Teutës, kjo ndikoi në minimizimin e gabimeve nga Goga dhe shtimin e vëmendjes te sulmi për ekipin pritës. Por pavarësisht aksioneve, Goga ka mbajtur avantazhin edhe në këtë periodë në shifrat 57-68. 10-minutëshi i fundit ishte vendimtar dhe i ka dhënë fitoren dhe vendin e parë sërish ekipit të Goga Basket pasi e mbylli këtë periodë dhe të gjithë ndeshjen 71-83. 

Derbi durrsak siç ishte parashikuar në letër rezultoi i bukur dhe i fortë, edhe pse nuk u realizuan aq shumë pikë sa në fazën e parë të sezonit, ishte një ndeshje e cila justifikoi edhe prezencën e lartë të tifozëve në pallatin e sportit.