Emocione në ndeshjet e javës së 18-të të Superligës në basketboll për meshkuj, ku janë luajtur 2 sfida derbi. Goga Basket mundi 87-81 Teutën në duelin e kreut, duke siguruar matematikisht vendin e parë në sezonin e rregullt. Ndërsa Partizani hakmerret ndaj Tiranës, duke fituar 91-80 pas kohës shtesë, duke konsoliduar vendin e tretë.

Në mjediset e Akademisë Goga u luajt sfida e kreut në Superligë, ku Goga Basket mundi 87-81 Teutën, një ndeshje gjatë gjithë kohës e dominuar nga vendasit. Që në periodën e parë skuadra e Gogës ishte në avantazh, duke patur një epërsi prej 5-10 pikësh gjatë gjithë kohës. Teuta luante me hope, hera-herës ngushonte shifrat e rihapte ndeshjen, por nuk arriti për asnjë moment të kryesojë.

Kjo ishte ndeshja e parë e trajnerit Afrim Bilali në krye të Teutës, detyrë të cilën e ka marrë pak ditë më parë, por pa sukses. Fitorja e Goga Basket ishte e merituar, duke u shkëputur 3 pikë karshi Teutës në renditje.