Kombëtarja e meshkujve në basketboll është mundur 82-69 nga Danimarka, ndeshje e vlefshme për fazën para-eliminatore të Kampionatit Europian 2021 (Eurobasket 2021), Grupi C. Ndeshja e luajtur në Kopenhagen ka qenë e ekuilibruar për 20 minuta, me kuqezinjtë që kanë tentuar të bëjnë surprizën jashtë fushe, por pa sukses.

Klaudio Ndoja me 29 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, por kjo nuk mjaftoi për të evituar humbjen, ndërkohë që Hysenagolli e Shima realizuan respektivisht nga 14 e 13 pikë. Për kuqezinjtë e trajnerit Doukas, kjo është humbja e dytë në këto eliminatore, pas zhgënjimit 3 muaj më parë në Tiranë ndaj Armenisë, skuadra tjetër e Grupit C.

Ndeshja nis më mirë për vendasit, që kanë epërsi në periodën e parë dhe krijojnë një epërsi të lehtë, pa mundur që të shkëputen. Danezët udhëheqin 25-17, por në 10-minutëshin e dytë kuqezinjtë luajnë disi më mirë dhe i ngushtojnë shifrat në fund, me vendasit që udhëheqin 45-38.

Perioda e tretë është fatale për Shqipërinë, që gabon shumë në gjuajtje, ndërsa vendasit realizojnë 10 pikë më shumë, duke u shkëputur 69-52. Ky avantazh i jep mundësi kombëtares së Danimarkës të luajë më e qetë në minutat e fundit, duke administruar epërsinë, ndërsa përpjekjet e kuqezinjve nuk kanë forcën e duhur. Përfundimisht, 82-69 për danezët, që kryesojnë Grupin C. Të dielën, Shqipëria do të luajë ndaj Armenisë, sërish jashtë fushe.