Teuta ka fituar me lehtësi 94-59 ndaj Barleti Eagles në ndeshjen që çeli javën e 7-të të Superligës në basketboll për meshkuj, një javë që duhej të ishte luajtur fundjavën e kaluar, por u shty për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjeve.

Takimi u luajt në Durrës dhe u fitua me meritë nga skuadra vendase, që korri suksesin e pestë sezonal, duke u rikthyer te fitorja pas humbjes me shkodranët.

Barleti nuk pati asnjë shans të rivalizojë dhe fitojë, duke bërë një ndeshje “normale” dhe pësoi humbjen e shtatë, ndërkohë që ende nuk po gjen rrugën drejt fitores së parë sezonale dhe mbyll renditjen. Ndeshja tjetër e kësaj jave, ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit, do të luhet më 6 dhjetor, në Shkodër, ndërsa në dilemë data e takimit Tirana-Kamza, pasi bardheblutë luajnë nesër në Ligën Ballkanike.