Java e 14-të e Superligës në basketboll për meshkuj ka dhuruar mjaft surpriza në fushë, me Tiranën që fitoi 79-77 ndaj Teutës në Durrës në një ndeshje dramatike, ku përballë njëra-tjetrës ishin dy ekipet më të mira në kampionat.

Një ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në fund, me durrsakët që kërkuan të ndalnin për herë të parë këtë sezon bardheblutë, por pa sukses.

Tirana ishte në përgjithësi në avantazh, por asnjëherë pa u shkëputur ndjeshëm, ndaj dhe Teuta tentoi deri në fund të fitonte dhe iu afrua asaj. Loja ishte me luhatje nga të dyja ekipet e shpesh niveli la për të dëshiruar, por jo emocione.

Në momentet vendimtare vendasit gabuan dhe u iku suksesi nga duart, ndërsa Tirana arriti të marrë një fitore të rëndësishme, duke shkuar në +3 pikë në renditje.